Peshkim/ Forma elektronike e tregtimit, Kristo: Formalizon sektorin, rregulla të barabarta për të gjithë

Roland Kristo, zv.ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare: “Forma elektronike e shitjes, vendos rregulla të barabarta për të gjithë aktorët e peshkimit”

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Markatat ose tregjet e shitjes me shumicë të produkteve të detit janë forma që i kanë munguar Shqipërisë dhe në Shëngjin do të hapet tregu i parë i këtij lloji në vend, duke e bërë Shqipërinë që të jetë e njëjtë me vendet e tjera të Mesdheut, por edhe të BE-së në këtë sektor.

Roland Kristo, zv.ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, u shpreh se, “tregjet e shumicës së peshkut, kanë një veçori që kanë të bëjnë me faktin e shitjes përmes ankandit. Sot tratativat e shitjes mes anijeve të peshkimit dhe tregtarëve, janë në mënyrë private dhe të kontrolluara nëpërmjet skemës së karburanteve, por janë tratativa private. Në momentin që ne po zhvillojmë një treg të shitjes me shumicë të peshkut, çmimet do të jenë të deklaruara 100% dhe forma elektronike e përcaktimit, do të përcaktojë koston reale të shitjes së peshkut si për peshkatarët, tregtarët edhe për konsumatorët”.

“Format e tregtimit me elektronikë, është mënyra më bashkëkohore që garanton të gjithë procesin e shitjes përmes ankandit, ku çmimet janë publike dhe të gjitha detyrimet e subjekteve tregtare ndaj shtetit janë të regjistruara dhe automatikisht bëhet llogaritja e detyrimeve dhe pagesave në shtet”, – shpjegoi Kristo.

Është një formë moderne e përdoruar gjerësisht në vendet e BE-së, dhe ne jemi aktualisht në fazën e krijimit të një modeli që të mos ketë kosto tek anijet e peshkimit dhe aktorët e tregut, por edhe të sigurojë formalizim të sektorit që gjeneron të ardhura në buxhet.

“Forma elektronike e shitjes vendos rregulla të barabarta për të gjithë aktorët e peshkimit, që do të thotë konkurrencë e ndershme dhe më shumë zhvillim”, – tha zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.