Ish-punonjësi i Policisë Azem Meshi, “Qytetar Nderi” i Kamzës

TIRANË, 21 shtator/ATSH/Bashkia e Kamzës ka zhvilluar ceremoninë përkujtimore për nder të Dëshmorit të Atdheut Azem Meshi, i cili 20 vjet më parë dha jetën në krye të detyrës, në përpjekje për të garantuar respektimin e ligjit dhe sigurinë për qytetarët.

Bashkia Kamëz i ka akorduar titullin “Qytetar Nderi” ish punonjësit të Policisë Azem Meshi, titull i cili u është dorëzuar familjarëve të Dëshmorit nga Prefektja e Tiranës.
Gjatë ceremonisë është promovuar edhe libri me titull: “Azem Meshi, Shqipe e vendit të vet”.

Zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj ka theksuar se, Policia e Shtetit është e vetmja organizatë që e ka paguar shtrenjtë përmbushjen e detyrës.

“Të përkujtosh, nderosh e vlerësosh ata që dhanë jetën për të përmbushur detyrën, ata që mbrojtën jetën me jetë, nuk është as detyrë e as përmbushje protokollesh, por është përgjegjësi morale, është vlerë njerëzore dhe lehtësim i dhimbjes së familjarëve të tyre”, tha Hajnaj.

“Policia e Shtetit është e vetmja organizatë që e ka paguar shtrenjtë përmbushjen e detyrës. Në themelet e rrugëtimit të saj, qëndron gjaku i qindra dëshmorëve, i dhjetëra punonjësve të plagosur për shkak e në detyrë, qëndron mundi e sakrifica e mijëra punonjësve të Policisë, që ndër vite kanë sakrifikuar për të krijuar një ambient shoqëror të sigurt, për të luftuar krimin dhe që janë përballur e përballen përditë me vështirësi e sakrifica deri në sublim”, u shpreh ajo.

“Jemi këtu të kujtojmë e nderojmë veprën e Dëshmorit të Atdheut, Azem Meshi, i cili u vra në krye të detyrës, në përpjekje për të ndaluar dhe arrestuar disa kriminelë të armatosur, të cilët kishin kryer një krim më parë”, vijoi Hajnaj.

“Të nderuar pjesmarrës, ky akt i guximshëm i një punonjësi policie model, kjo përgjegjshmëri ndaj detyrës deri në sakrificën më sublime, jo vetëm e Azemit, por dhe e qindra dëshmorëve të tjerë të Policisë së Shtetit janë motiv për gjithë organizatën e Policisë, por edhe një mesazh për të gjithë, që të mbështesin Policinë e Shtetit në detyrën e saj, sa fisnike aq edhe të vështirë”, tha ajo.

“Sot Bashkia Kamëz e nderon me titullin më të lartë “Qytetar Nderi”, për kontributin e shquar në vendosjen e rendit. Po sot promovohet libri “Azem Meshi, Shqipe e Vendit të Vet”. Në emër edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ju shpreh falënderimet të gjithë atyre që kontribuojnë sadopak për të lartësuar këto sakrifica sublime, pasi ky titull nderi, promovimi i librit dhe shumë vlerësime të tjera mbartin me vete edhe mesazhin e mirëkuptimit, mbështetjes dhe bashkëpunimit mes Policisë, pushtetit vendor dhe komunitetit”, theksoi Zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj .

“Më herët vepra e Azemit është vlerësuar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, akorduar nga Presidenti i Republikës. Gjithashtu një rrugë mban emrin e tij. Të dashur familjarë të kolegut, shokut e mikut tonë të përjetshëm, Azemit. Ju sot ndiheni krenarë për  atë që Azemi gdhendi me gërma të arta në piedestalin e kombit dhe për vlerësimet që i bëhen veprës së tij”, tha Hajnaj.

“Ju nuk jeni vetëm dhe nuk do jeni vetëm asnjëherë. Dera e shtëpisë së madhe të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme është dhe do jetë përherë e hapur për të gjithë familjarët e kolegeve tanë, që sakrifikuan jetën për të përmbushur detyrën. Vëmendja e shtuar e Kryeministrit, sidomos vitet e fundit dhe  iniciativat e ndërmarra së fundmi nga  Ministri i Brendshëm Sandër Leshaj, për t’u takuar, biseduar dhe shqyrtuar çdo problematikë që ju keni, hapja e Fondacionit “Gjurmë”, për të  sensibilizuar cilindo që ka dëshirë të kontribuojë sadopak  për të ndihmuar familjarët e dëshmorëve të Policisë, janë përpjekje reale për të mbështetur gjithë familjarët e dëshmorëve, por dhe një lehtësim dhimbje e sakrificash”, vijoi ajo.

“Dëshiroj t’i shpreh familjarëve të Dëshmorit Azem Meshi dhe në mënyrë të veçantë bashkëshortes dhe vajzës së tij Greta, të gjithë mirënjohjen  tonë të thellë. Azem Meshi, humbi jetën fizikisht, por sakrifica e tij sublime fitoi përjetësinë”, përfundoi fjalën e saj, Zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.