Hetim për shkollën e Planit të Bardhë në Klos

TIRANË,21 shtator /ATSH – I. Vata/ -Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi do të hetojë për shkollën e Planit të Bardhë në Klos. Komisioneri Robert Gajda  u njoh nga mediet me problematikën e shkollës në fshatin Plan i Bardhë në Bashkinë Klos, ku 15 fëmijë janë në kushte të pamundura të zhvillojnë procesin mësimor, dhe zhvilloi një vizitë në këtë shkollë.

Për këtë arsye, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shprehet se do të nisë një hetim kryesisht (ex officio), për mosofrim të shërbimit të barabartë me tjerët për shkak të vendbanimit. Hetimi dhe inspektimi i KMD do të përfshijë të gjithë institucionet qendrore e vendore që kanë tagër ligjor për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Për Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi çdo dallim, përjashtim, kufizim apo parapëlqim, pavarësisht nga shkaku, që ka si qëllim apo pasojë pengesën apo bërjen e pamundur të ushtrimit në të njëjtën mënyrë me të tjerët, të të drejtave e lirive themelore të njohura me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nga aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si dhe nga legjislacioni në fuqi – përbën Diskriminim. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.