Denaj: Po evidentohen dëmet nga tërmeti, disponojmë fondet për emergjencat

TIRANE, 21 shtator/ATSH/- Ministria e Financave ka zhvilluar një mbledhje urgjente mbrëmjen e sotme, pas tërmetit të fuqishme që goditi vendin, për të koordinuar pushtetin vendor për të bërë verifikimin e gjendjes teknike.

Në njoftimin për shtyp, bëhet e ditur se “nisur nga tërmeti i ndodhur sot dhe dëmtimeve që janë shkaktuar në banesa, ambiente publike dhe biznese, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë dhe strukturat e saj në varësi janë në gatishmëri të plotë dhe po ndjekin të gjithë situatën në kohë reale.MFE po bashkëpunon me të gjitha ministritë e linjës, pushtetin vendor dhe strukturat e tjera që janë në terren për t’u informuar mbi dëmet e shkaktuara nga kjo dukuri natyrore”.

“Edhe pse këto struktura po evidentojne dëmet në terren është ende herët për të llogaritur efektet financiare të këtyre dëmeve.  Gjithashtu, MFE disponon të gjithe fondet e nevojshme për të përballuar situatat e shkaktuara nga fatkeqësi të tilla natyrore”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Si institucioni që ka në varësi Inspektoriatin Shteteror të Mbikqyrjes së Tregut, MFE po koordinon gjithashtu me pushtetin vendor, kompanitë e ashensorëve dhe administratorët e pallateve për rritjen e ndërgjegjësimit për për të bërë verifikimin e gjëndjes së tyre teknike, pas situatës së krijuar nga tërmeti.

“Një informacion më i detajuar për trupat e autorizuara që kryejnë verifikimin e plotë të ashensorëve gjendet në faqen e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut www.ishmt.gov.al si dhe mund të shkruani për rastet emergjente dhe për cdo problematikë tjetër lidhur me ashensorët në adresën [email protected]”, njofton Ministria.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.