“Komunizmi dhe feminizmi”, përgatitet konferenca shkencore

TIRANË,20 shtator /ATSH – I. Vata/ Realiteti i gruas në kohën e diktaturës komuniste është objekt i thirrjes për konferencë shkencore të ISKK.

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit – ISKK ka hapur thirrjen për prezantime për Konferencën shkencore: “Komunizmi dhe feminizmi: format e trajtimit të grave gjatë regjimit komunist në Shqipëri”.

Roli i gruas në komunizëm paraqitej nga propaganda e regjimit si një nga historitë më të suksesshme të tij; sipas saj, regjimi komunist bëri të mundur emancipimin e gruas.

Me rënien e regjimit komunist, u zbulua një realitet tjetër nga ai propagandës, që tregonte se gratë përjetuan një persekutim po aq të egër sa pjesa e tjetër e shoqërisë, duke përfshirë ekzekutimin, burgimin, internimin e dëbimin, dhe kufizime të lirive në forma të tjera.

Por jo vetëm kaq, pjesa tjetër e grave që nuk iu nënshtruan persekutimit ekstrem si kundërshtarë të regjimit, vuanin mungesën e privatësisë dhe politika të tjera sociale të cilat ngrenë pikëpyetje të mëdha edhe në qasjen gjinore të atij regjimi, si konservatore dhe jo liberale siç është njohur deri vonë.

Pikërisht për të zhvilluar një debat shkencor mbi këto çështje, Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ju fton të dërgoni propozimet për prezantime për konferencën “Komunizmi dhe feminizmi: format e trajtimit të grave gjatë regjimit komunist në Shqipëri”, e cila do të mbahet në datat 5-6 dhjetor 2019, në Tiranë.

Konferenca do të bazohet në këto tema kryesore: Persekutimi familjar dhe rezistenca e heshtur e grave. Profile grash të persekutuara dhe përvoja personale persekutimi. Roli i grave në rezistencën antikomuniste gjatë periudhës: 1944-1955. Përdorimi i grave si mjet presioni në metodat e Sigurimit të Shtetit dhe raste të abuzimit fizik dhe psikologjik. Emancipimi dhe nevoja për fuqi punëtore në industri dhe bujqësi. Politikat shtetërore dhe privatësia e grave; liria seksuale dhe aborti. Divorcet e imponuara. Roli i shtetit në planifikimin familjar. Dehumanizmi i figurës së nënës. Përdorimi i figurës së gruas nga propaganda: në artet figurative, në letërsi, në shtyp, në postera, parrulla, etj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.