Tepelenë, inspektim për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë në fshatin Dragot

TIRANË, 19 shtator/ATSH/- Në kantierin e Sajmolës në fshatin Dragot në Tepelenë u zhvillua një vizitë pune në varrezat e ushtarëve grekë, nga një ekip ekspertësh të komisionit të palës shqiptare, të kryesuar nga gjenerale brigade, Manushaqe Shehu.

Të pranishëm në këtë vizitë pune ishin drejtoresha e Çështjeve Vendore dhe e Funksioneve të Deleguara pranë Ministrisë së Brendshme, Alma Mele, drejtori për Rajonin dhe e Vendeve fqinje pranë Ministrisë për Europën dhe Punët e Jatshme, Ilir Melo, si dhe Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj.

Ekipi i ekspertëve të komisionit të palës shqiptare kërkoi nga ekipet e përbashkëta të terrenit të njihen me punën e bërë deri më tani, realizimet dhe problematikat që janë hasur gjatë procesit të punës.

Pas inspektimit që u krye në kantier, u zhvillua një takim me kryetarin e bashkisë Këlcyrë, Klement Ndoni në kuadër të marrëveshjes Shqipëri-Greqi për varrezat e ushtarëve grekë.

Gjatë këtij takimi, në fjalën e tij, Prefekti i qarkut shprehu gatishmërinë për të bërë të mundur koordinimin midis ekipit të terrenit dhe njësive të vetëqeverisjes vendore të përfshira në këtë proces.

Ndërsa nga ana e gjenerales Shehu u kërkua bashkëpunim ndërinstitucional nga strukturat e bashkisë së Këlcyrës për realizimin e procesit të ndërtimit të varrezave të ushtarëve grekë.

Më tej u krye dhe një vizitë në varrezën historike të manastirit të Këlcyrës, ku gjenden të varrosura eshtrat e ushtarëve grekë të rënë në Luftën Italo-Greke në vitet 1940-1941./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.