Rama fton sipërmarrësit italianë për investime në Shqipëri: Taksë zero për hotelet me 5 yje

TIRANË, 19 shtator/ATSH/- Rajoni i Puglia-s duhet ta shohë Shqipërinë si një hapësirë të tijën natyrale për të mundësuar zgjerimin e projekteve të përbashkëta dhe një të ardhme të përbashkët.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i cili ishte sot i ftuar në Forumin “Ekonomia blu e Mesdheut”, organizuar në kuadër të sesionit të 3-të të Panairit “Fiera del Levante” në Bari. Në këtë panair, Shqipëria është e pranishme edhe me stendat e saj, të cilat u vizituan edhe nga Kryeministri.

“Pa dyshim që Puglia e sotme nuk është ajo e viteve më parë, është një realitet komplet i ndryshëm, që na jep shembullin për ne për të gjitha gjërat, për të parë të ardhmen, për të pasur kurajën të shkohet përtej gjërave të përditshme dhe për të projektuar në të gjitha drejtimet gjërat e saj”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “sot Puglia është një vend ambicioz dhe kurajoz që ecën përpara dhe sigurisht nuk ka asnjë dyshim , pa përsëritur gjërat, duhet të themi se ka shumë gjëra që mund të bëjmë bashkë, mund të bëjmë shumë më shumë sesa kemi bërë, sepse ka jo vetëm të kaluar miqësie dhe sensibiliteti të përbashkët kundrejt botës, por edhe interesa të përbashkëta”.

“Për të qenë të qartë unë do të zgjidhja gjithmonë të kaloja më mirë një ditë në Puglia, sesa në Bruksel. Nuk është çështja për të bërë një sakrificë, por kjo është një kënaqësi e madhe. Dhe falënderoj shumë dy miqtë në të majtë dhe të djathtë. Janë në të majtë e në të djathtë, por janë edhe të majtë dhe të djathtë dhe ky është një imazh që tregon gjithçka për marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë, që nuk kalojnë kurrë drejt këtyre kategorive politike, por që kalojnë qëndrojnë në këta binarë, majtas dhe djathtas për të ecur përpara”, – tha Rama.

Kreu i Qeverisë tha se “për këtë mund të them se pa Italinë, pa njerëz si senatori i Adolfo Urso dhe Michele Emiliano, guvernator i rajonit të Puglia-s dhe të tjerë, të cilët gjatë këtyre viteve me detyrat e tyre kanë pasur një afrim pozitiv dhe miqësor kundrejt Shqipërisë, ajo nuk do të ishte ajo që është sot dhe nuk do të kishte kurajë të ëndërronte për të shkuar më tej, sepse një pjesë e kësaj kurajoje është fakti që kemi këtë vend të madh mik, që është Italia”.

“Sinqerisht kur hyjmë në Itali, nuk ka dyshim që në Puglia ndihemi si në shtëpinë tonë sepse ekziston një lidhje e fortë, ka ngjashmëri të papara. Me kënaqësi kam zbuluar dje se kemi edhe një vuajtje të përbashkët me Mikelen, sepse jemi të pushtuar me mesazhe nga qytetarët që çdo ditë duan të jenë të asistuar në vështirësitë e tyre me administratën, pra sigurisht një sensacion ngjashmërie”, – theksoi Rama.

Më tej, Kryeministri tha se “është e vërtetë ajo që Adolfo thotë se ndërsa Italia është në det, për shqiptarët deti ishte hapësira nga vinte rreziku, sepse ne kemi qenë gjithmonë mes Perëndimit dhe Lindjes dhe kemi dashur gjithmonë të jemi jo shumë afër detit për t’iu përgjigjur gjithmonë atyre që nga deti kalonin ose donin të pushtonin Shqipërinë”.

“Deti është një zbulim i ri për ne, duhet edhe të kujtojmë që para 50 vjetëve deti për ne ishte një territor i ndaluar, sepse ishim të izoluar dhe asnjë nuk mund të imagjinonte të shkonte përtej atyre 100 metrave plazhi dhe uji, që ishin të lejueshme, ndërsa pjesa tjetër ishte një shkretëtirë, pas së cilës ishte e dashura dhe e ëndërruara Itali. Sot është ndryshe, por duhet të bëjmë më shumë dhe unë besoj se në fushën e “new economy” është e gjitha për t’u ribërë pasi ka shumë interesa të përbashkëta shumë të qarta”, – tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi faktin se nga e gjithë puna e bërë nga shteti dhe qeveria italiane, Shqipëria është sot hapësira ku sipërmarrësit italianë mund të investojnë pa qenë të terrorizuar nga taksat dhe burokracia”.

“Pra, e gjithë ajo që ata ëndërronin që të kishin nga Berlusconi, e kanë tani në Shqipëri. Një vend pothuajse pa taksa. Kush investon sot në Shqipëri te turizmi me pesë yje ka 10 vjet aktivitet pa asnjë taksë dhe një TVSH prej 6%. Ata që jetojnë me turizmin e kuptojnë më mirë se çfarë do të thotë kjo. Të investosh në agroturizëm është pothuajse e njëjta gjë, ka një taksë prej 5% dhe TVSH prej 6%. Për gjërat e tjera nga pikëpamja e taksave jemi një vend mjaft normal dhe i krahasuar me taksat në Itali jemi një parajsë mbi tokë”, – deklaroi Kreu i Ekzekutivit.

“Dua t’u them të gjithëve se ne jemi shumë shumë të kujdesshëm për të gjithë sipërmarrësit që vijnë përtej kufijve të vendit, sidomos ndaj investitorëve puliezë. Kemi edhe një qendër të Puglia-s në Shqipëri të drejtuar nga miqtë puliezë. Ata e dinë se gjithmonë jemi të hapur ndaj tyre dhe nuk duhet të mundohen e stërmundohen në pritje të një lejeje apo të një licence. Në fund të fundit jemi shumë afër. Për të ardhur dje në Bari na u desh gjysma e kohës për të shkuar nga Tirana në Vlorë”, tha Rama.

/k.s/  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.