Programi i bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë, Dhima: Me interes potencial

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Gjatë shqyrtimit në Kuvend ditën e enjte të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Komisionit Europian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Shqipëri – Kosovë 2014-2020, alokimet e vitit 2017”, deputetja socialiste Antoneta Dhima u shpreh se ky program ka një fushë të gjerë bashkëpunimi nga e cila do përfitojnë si Shqipëria edhe Kosova, e sidomos zonat ndërkufitare.

“Programi i bashkëpunimit ndërkufitar IPA 2 Shqipëri-Kosovë 2014-2020 u hartua në bashkëpunim  midis Shqipërisë dhe Kosovës, me mbështetjen e ekspertëve të Këshillit të Europës dhe nëpërmjet një procesi konsultimi të gjerë që përfshin aktorët kryesorë dhe përfituesit potencialë të dy kufijve”, – tha deputetja Dhima.

Programi u finalizua me miratimin nga Komisioni Europian të një shume prej 9.734.119 eurosh.

Sipas deputetes socialiste, ky Program ka disa prioritete të fokusuara sidomos te mjedisi, turizmi etj. “Programi i bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë ka për qëllim të kontribuojë në zhvillimin social-ekonomik në zonat ndërkufitare dhe të rrisë bashkëpunimin mes dy vendeve nëpërmjet ndërhyrjeve të përbashkëta. Programi IPA 2014-2020 do të ketë këto prioritete: Mbrojtja, ruajtja dhe vlerësimi i burimeve mjedisore; nxitja e trashëgimisë natyrore, kulturore dhe turizmit; nxitja e integrimit social ekonomik të të rinjve”, – tha Dhima.

Zonat e lejuara që do përfitojnë nga ky program janë: në Shqipëri Qarku i Kukësit dhe Qarku i Lezhës; në Kosovë Rajoni Ekonomik Perëndimor dhe Rajoni Ekonomik Jugor, ku përfshihen 12 bashki. /a.sh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.