Ndryshimet në Kodin Penal, Gjonaj: Mesazh shkelësve për fuqinë e ligjit

TIRANË, 19 shtator/ ATSH /- Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, duke folur në Kuvend për projektligjin e kthyer nga Presidenti Ilir Meta, për disa ndryshimet në ligjin për Kodin Penal, u shpreh se këto ndryshime vijnë si nevojë e forcimit të politikës penale në vend.

Ajo theksoi se, projektligji është realizuar me ekspertët më të mirë të Kuvendit, Ministrisë së Drejtësisë, Kryeministrisë, dhe një sërë grupesh interesi dhe aktorësh të tjerë, punuam për disa ndryshime emergjente të Kodit Penal. “Kjo në vlerësim të nevojës të jashtëzakonshme të forcimit të politikës penale, veçanërisht në luftën dhe parandalimin e disa fenomeneve që po shfaqeshin rrezikshëm në shoqërinë tonë, si goditja e punonjësve që kryejnë detyra shtetërore, veprimet e dhunshme në sport, veçanërisht edhe krimet kundër mjedisit dhe së fundmi, edhe tregtimi i ushqimeve të rrezikshme që cenojnë jetën dhe shëndetin e njerëzve”, – tha Gjonaj.

“Përhapja e shpejtë e këtyre veprimeve, të cilat kanë ndikime të mëdha në autoritetin e shtetit dhe jetën dhe sigurinë e qytetarëve shqiptare, nxiten pikërisht Kuvendin, që nëpërmjet propozimit të një grupi deputetësh, të miratonte ndryshimet e Kodit Penal”, – shtoi ajo.

“Miratimi i tyre nga Kuvendi, dërgoi një mesazh shumë të qartë për çdo qytetar dhe çdo shtetas që ndërmerr këto veprime, që guxon të sfidojë dhe të kalojë limitet e autoritetit të shtetit, qe të cenojnë jetën dhe shëndetin e bashkëqytetarëve nëpërmjet cenimit të sigurisë ushqimore, apo edhe nëpërmjet ndotjeve të ndryshme për mjedisin”, – theksoi ministrja e Drejtësisë.

“Gjithashtu, për fat të keq, Presidenti i Republikës nuk e vlerësoi në të njëjtën rendësi jetën dhe shëndetin e qytetarëve shqiptar, por çmoi që disa çështje dhe aspekte të teknikës legjislative, mund të përmirësoheshin, ishin shkak i mjaftueshëm për ushtrimin e të drejtës që i është dhënë nga Kushtetuta për të kthyer ligjin për rishqyrtim”, – tha Gjonaj.

“Në fakt, duke pasur në konsideratë rolin që ka Presidenti, si kryetar i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, nuk do të duhej të vononte hyrjen në fuqi të Kodit Penal, të kthente pa shkaqe të ligjshme kushtetuese, një nismë me rëndësi të madhe për sigurinë, jetën dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë; në kufijtë të edhe një abuzimi që i është dhënë nga Kushtetuta”, – shprehet Gjonaj.

“Arsyetimi për kthimin e këtij ligji të rëndësishëm qëndron në paqartësinë të një dispozite të tij, sipas institucionit të Presidentit, dhe mbivendosje të mundshme të kësaj norme me nene të tjera të Kodit Penal. Në vlerësimin e Ministrisë së Drejtësisë, si dhe të çdo eksperti që ka punuar në hartimin e këtyre ndryshimeve, dispozita së cilës i është referuar Presidenti, konkretisht paragrafi 4 i nenit 121, është krejtësisht e qartë dhe nuk krijon kurrësesi mbivendosje me dispozitat e tjera të Kodit Penal”, – tha më tej ministrja Gjonaj.

“Për shkak edhe të nevojës për të informuar çdo qytetar shqiptar, më lejoni të shpjegoj dhe të theksoj se dispozitat janë hartuar nga juristët më të mirë që administrata shtetërore ka në dispozicion, si dhe janë konsultuar me të gjithë grupet e interesit, si dhe institucionet ligjzbatuese pavarësisht kohës së shkurtër të cilën patën në dispozicion për miratimin e këtyre të gjithave”, – tha Gjonaj.

Gjonaj shtoi se “të gjitha ndryshimet e propozuara që lidhen me veprat penale në fushën e mjedisit, janë në fakt, trans pozimi i plotë i Direktivës të Bashkimit Europian për Mbrojtjen e Mjedisit përmes Ligjit Penal. Marrëdhëniet që mbrohen si dhe gjuha e përdorur në këto nene, është e njëjtë me marrëdhëniet që shoqërohen edhe në gjuhën e përdorur nga direktivat e BE”.

“Shpreh keqardhje për këtë mungesë bashkëpunimi institucional nga ana e zyrës së Presidentit të Republikës, sidomos në një moment kyç – si ky i tanishmi – për zbatimin e reformave dhe hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”, – tha ajo.

“Dëshiroj të theksoj se, janë bërë deri më sot përpjekje të jashtëzakonshme nga stafet teknike të ministrive dhe ekspertët e organizatave partnere që na mbështesin me qëllim realizimin e angazhimeve të ndërmarra në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, – tha Gjonaj.

“Vetëm gjatë vitit 2019, janë ndërmarrë një sërë nismash ligjore që tregojnë qartazi angazhimin e pa ekuivok e pa kompromis të qeverisë kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar ne veçanti: Kemi miratuar aktet nënligjore për mbështetjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, granatimin e sigurisë së gjyqtarëve e prokurorëve dhe krijimin e kushteve për funksionimin e Gjykatës dhe Prokurorisë se Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, – tha ajo.

“Kemi miratuar regjimin e posaçëm të ashtuquajtur 41 bis në sistemin e burgjeve, përmes së cilit do të izolohen me masa restriktive elementët më të rrezikshëm kriminalë, që mbajnë lidhje me organizatat kriminale jashtë burgjeve, i cili në bashkëpunim dhe me institucionet e tjera përgjegjëse është në fazën e zbatimit të tij kemi përgatitur paketën e 5 projektligjeve që do të jenë gjithashtu një instrument i mirë ligjor për të luftuar kriminalitetin dhe që do të ndihmojnë në ekzekutimin e vendimeve penale dhe atyre alternative. Janë marrë një sërë masash nëpërmjet akteve nënligjore dhe investimeve për të rritur sigurinë në institucionet përgjegjëse për zbatimin e vendimeve gjyqësore penale. Në një kohë rekord nënshkruam dhe ratifikuam Marrëveshjen me Eurojust, që do t’i japë një mundësi më shumë Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar”, – vijoi Gjonaj.

“Gjatë kësaj periudhe Ministria e Drejtësisë ka ndjekur në mënyrë të vazhdueshme të gjitha detyrimet që institucionet përgjegjëse duhet të përmbushin me qëllim që Shqipëria të jetë anëtare në Eurojust”, – shtoi ministrja e Drejtësisë.

“Dhe së bashku me Institucionet përgjegjëse kemi plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë të lëna nga Eurojust në Hagë, duke mirëpritur vlerësimin final të kësaj Agjencie te Bashkimit Europian, i cili do ti japi mundësinë Shqipërisë që pavarësisht se nuk është vend i Bashkimit Evropian të jetë anëtarë me të drejta të plota për të luftuar kriminalitetit me karakter transnacional”, – tha ajo.

“Jemi të ndërgjegjshëm se ka shumë për të bërë, por kemi treguar me akte e fakte konkrete angazhimin dhe vullnetin tonë për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë se ishte dje dhe për ta bërë atë pjesë të familjes së madhe europiane. Për këtë arsye, çdo vonesë apo pengesë në këtë proces reformash rrënjësore përbën vonesë apo pengesë në proceset integruese të Shqipërisë, që janë tashmë më të nevojshme se kurrë”, – tha Gjonaj.

Duke iu drejtuar deputeteve në sallë, Gjonaj tha se “siç të gjithë bashkërisht e kemi konstatuar, argumentet e përdorura nga Presidenti për kthimin e kësaj nisme kaq të rëndësishme nuk qëndrojnë. Veçanërisht po të marrim në konsideratë kohën kur kjo nismë u miratua, që i përgjigjej sjelljeve të dhunshme në sport, goditjeve ndaj punonjësve të policisë së shtetit, nevojës për siguri ushqimore dhe mbrojtjen më të lartë të mjedisit. Për këtë shkak, ju ftoj të gjithëve që bashkërisht të votojmë rrëzimin e dekretit të Presidentit”, – përfundoi Gjonaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.