Artisti Adrian Paci vjen me ekspozitën “Prova” në Galerinë Kombëtare të Arteve

TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Në Galerinë Kombëtare të Arteve, do të çelet ekspozita “Prova” e artistit Adrian Paci, që vjen e kuruar nga Adam Budak.

Espozita “Prova” është veprim për t’i vënë në hartë mundësitë dhe shanset, por edhe për t’i zbuluar potencialet dhe zotërimet e aftësive. Me një titull të pazakontë e tërheqës, piktori shkodran do të sjellë ekspozitën, nëpërmjet së cilës imazhi në lëvizje dialogon me imazhin e ndalur të seteve fotografike.

Me “Prova”, artisti që jeton në Milano të Italisë vë në pah dinamikat e largimit dhe të mërgimit përmes një rituali të përkatësisë dhe identifikimit e deri te mekanika e vetëfuqizimit dhe emancipimit.

“Prova”, për artistin Paci, është “një moment tensioni si një metaforë për botën dhe gjendjen e saj në transformim të vazhdueshëm”. Kështu, fjala “provë” bartet së bashku, ndërsa kamera portretizon protagonistët e gatshëm për të vepruar në skenën e speculum mundit.

“Ashtu si në një kor të sapokrijuar, zërat e shumëfishtë këndojnë midis vetëbesimit dhe mungesës së tij, të pezulluar, të dëgjuar me zor, të turpëruar, të pashtershëm, nganjëherë me zë të lartë, shpeshherë të shtypur, në të njëjtën kohë të pafajshëm dhe të dekurajuar, edhe pse të guximshëm dhe të saktë”.

Një anë e veçantë e ekspozitës së Pacit është se motivet e marra nga videot përkthehen në forma të tjera, ndërkohë që cilësia kinematografike fiton një ngjyrim piktoresk.

Në tjetër veçanti e piktorit nga Shkodra është se ai manovron lirshëm mes mediumeve duke eksploruar materialitetin dhe aspektet sensuale të një mediumi si formë e të shprehurit.

“Çdo punë aktivizon një formë marrëdhënie dhe ndërmjetësimi. Duke përdorur metoda teatrale të distancimit dhe afërsisë, artisti e bën shikuesin të vetëdijshëm dhe të vëmendshëm në mënyrë kritike për atë që ai/ajo sheh dhe vështron. Ky është rituali personal i Pacit që përsërit politikën e gjesteve në një transferim alkimik, vetëreferencial të imazheve, kuptimet e tyre, format dhe kontekstet”.

Adrian Paci (i lindur në vitin 1969 në Shkodër) ka studiuar pikturë në Akademinë e Arteve në Tiranë. Në vitin 1997 ai është vendosur në Milano, ku jeton dhe punon. Gjatë karrierës së tij Adrian Paci ka hapur shumë ekspozita personale në institucione të ndryshme ndërkombëtare si: Musée d’Art Contemporain de Montréal (2014); Padiglione d’Arte Contemporanea – PAC, Milan (2014); Jeu de Paume, Paris (2013); National Gallery of Kosovo, Prishtina (2012); Kunsthaus Zurich, Zurich (2010); Bloomberg Space, London (2010); The Center for Contemporary Art – CCA, Tel-Aviv (2009); Museum am Ostwall, Dortmund (2007); MoMA PS1, New York (2006) dhe Contemporary Arts Museum, Houston (2005).

Ndër ekspozitat e ndryshme kolektive, puna e Adrian Pacit është paraqitur edhe në edicionin e 14-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës – La Bienale di Venezia (2014); në edicionin e 48-të dhe 51-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit – La Bienale di Venezia (përkatësisht në vitin 1999 dhe 2005); në Bienalen e 15-të Sidneit (2006); në edicionin e 15-të Quadriennale Rome, ku ai fitoi çmimin e parë (2008); në Bienalen de Lyon (2009); dhe në edicionin 4-të të Bienales të Selanikut për Artin Bashkëkohor (2013).

Veprat e tij gjenden në disa koleksione private dhe publike, përfshirë Metropolitan Museum, New York; Muzeun e Artit Modern, New York; Musée d’Art Contemporain de Montréal; Centre Pompidou, Paris; Israel Museum, Jeruzalem; MAXXI, Romë; Fundacio Caixa, Barcelonë; Moderna Museet, Stokholm; Kunsthaus Zürich, Zyrih; UBS Art Collection, Londër; Museum of Contemporary Art, Majemi, Shtetet e Bashkuara; New York Public Library, New York; Solomon Guggenheim Foundation, New York; Seattle Art Museum, Seattle.

Adrian Paci është lektor i pikturës pranë Nuova Accademia di Belle Arti NABA, Milano. Ai ka dhënë mësim pranë “Accademia Carrara di Belle Arti Bergamo”, 2002-2006, IUAV, Venecia 2003-2015 si dhe ka dhënë leksione dhe punëtori në shumë universitete, akademi arti dhe institucione në vende të ndryshme. /m.z/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.