Ambasadorja franceze viziton portin e Durrësit, vlerësohet projekti i thellimit të basenit

TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Agron Tare, ka pritur në një takim ambasadoren franceze në Shqipëri, Christina Vasak dhe Përgjegjësen e Fondit Francez për Zhvillim (Agence Française de Développement-AFD), Lise Breuil.

Kreu i APD-së, Tare, e ka njohur ambasadoren me kapacitetet e portit më të madh në vend, investimet aktuale si dhe sfidat e së ardhmes.

Ambasadorja franceze Vasak prezantoi projektet dhe mbështetjen e Ambasadës në fusha të ndryshme në Shqipëri.

Në takim, u vlerësua rëndësia e projektit të thellimit të basenit dhe kanalit hyrës në port.

AFD është një organizatë tashmë të pranishme në 110 vende nëpërmjet një rrjeti prej 85 degësh dhe mbështet aktualisht më shumë se 3500 projekte zhvillimi. Në vitin 2017, ajo ka vënë në dispozicion 10.4 miliardë euro për të financuar këto projekte.

Si një institucion financiar publik dhe solidariteti, AFD-ja është aktor kryesor në politikën e zhvillimit të Francës.

Të pranishëm në takimin e zhvilluar ishin dhe Anne-Elisabeth Gautier, atashe për bashkëpunimin, Antoine Chevre, drejtuesi i detyrave pranë AFD, Mirela Mata si dhe drejtues të Autoritetit Portual Durrës. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.