STRASBURG – Parlamenti Europian kërkon arsye të vlefshme për shtyrjen e Brexit

STRASBURG, 18 shtator /ATSH-AFP/ – Shumica e deputetëve europianë kërkuan arsye dhe një objektiv të vlefshëm, për të pranuar një shtyrje të mundshme të afatit të Brexit, i planifikuar më 31 tetor.

Parlamenti në Londër miratoi një ligj në fillim të shtatorit, duke e detyruar qeverinë britanike të kërkojë një shtyrje të afatit të Brexit, për të shmangur një ndarje brutale pa marrëveshje, gjë që kryeministri Boris Johnson nuk pranon ta bëjë, tani për tani.

Në një projektligj të miratuar me 544 vota (126 vota kundër, 38 abstenime), Parlamenti Europian i mbledhur në seancë plenare në Strasburg miratoi për herë të parë qëndrimin e tij për ndarjen e Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian që nga fillimi i legjislaturës së re në maj.

“Nëse Mbretëria e Madhe tërhiqet nga Bashkimi pa marrëveshje, kjo do të ishte plotësisht përgjegjësi e qeverisë britanike”, akuzoi gjithashtu Parlamenti Europian.

Çdo marrëveshje e re mes Londrës dhe Brukselit do të duhet të marrë miratimin e Parlamentit Europian para se të hyjë në fuqi./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.