Seit Spahiu iu drejtua Bashkëqeverisjes, përfiton pensionin si ish-i dënuar politik

TIRANË, 18 shtator/ATSH/- Qytetari Seit Spahiu nga Vlora, përfitoi pension si ish-i dënuar politik që ka punuar në miniera në nëntokë, pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.

Në plotësim edhe të kërkesave të përfaqësuesve të minatorëve shprehur në interpelancën e realizuar përmes platformës së bashkëqeverisjes, u bë i mundur miratimi i ligjit përmes të cilit u bë e mundur që ish-të dënuarve që kanë punuar në minierë t’ju njihet periudha e dënimit si periudhë kontributive për efekt pensioni.

Në këtë kategori bën pjesë edhe Spahiu, i cili ankohet se kishte bërë kërkesë, për të përfituar pension si ish-i dënuar politik, që ka punuar në miniera në nëntokë.

Prej disa muajsh Spahiu kishte paraqitur kërkesën për përfitim pa marrë zgjidhje. Pas konfirmimeve të ardhura nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme, Drejtoria rajonale e shoqërimeve RSSH Tiranë i ka caktuar Spahiu pensionin e indeksuar, si dhe ka llogaritur për të shtesën kreditore në shumën 200.124 lekë

Në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes në Kryeministri, Spahiu tha se “u detyrova që pas 6 viteve, që na tallnin nëpër zyra, na tallte paaftësia e njerëzve pa kulturë, na dëbonin në disa mënyra qesharake. Iu drejtova platformës, para 5 muajve brenda 3 ditësh më nxorën pensionin dhe thashë gjeta rehat”.

Spahiu duke falënderuar Kryeministrin dhe platformën e bashkëqeverisjes tha se “nuk po na mbyllin më dyert e zyrave, ua di për nder”.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se “të falënderoj për fjalët e drejtpërdrejta nuk kam asgjë për të kundërshtuar se kjo është e vërteta, kjo është lufta e përditshme. Ne vërtet duam që të kemi administratë model, por duhet të kemi parasysh se ndërtimi i saj kërkon mund dhe kohë”.

“Shtetet që shohim me admirim për administratën kanë qindra vjet që e kanë administratën në dispozicion të publikut. Në këto 6 vite ka shumë gjëra që janë përmirësuar, sepse deri para 6 viteve situata ishte shumë katastrofike, por patjetër që ka shumë më tepër për të bërë”, – nënvizoi Rama.

Kreu i Qeverisë u shpreh se “kjo nuk është çështje militantësh por një çështje kulture të të shërbyerit ndaj qytetarëve se militant jam edhe unë po nuk lë asnjë pa i kthyer përgjigje as në telefon që nuk e kam për detyrë, por ama e ndiej për detyrë që të jap përgjigje që të bëj atë që mundem dhe sa mundem për të ndihmuar kur shikoj se dikush ka nevojë për ndihmë dhe ndihmën duhet ta marrë nga shteti dhe dikush në shtet nuk ia jep ndihmën”.
Por, vijoi Rama, ana tjetër e medaljes është që duke pasur qytetarët aktivë për interesin e tyre, sepse ju keni zhvilluar këtë betejë tuajën për interesin tuaj edhe në platformë jeni adresuar për të zgjidhur problemet tuaja, por ama na keni ndihmuar ne, pasi duke ndjekur rastin tuaj pasi ai zgjidhet ne identifikojmë edhe ata që nuk duhet të jenë aty”.

“Mesazhi që duhet të marrin të gjithë është që me platformën deri dje çdo qytetar që deri dje mësuar ta trajtosh si leckë mund të marrë në qafë se ka akses në qeveri dhe tek Kryeministri ashtu si ka një deputet edhe një person me influencë që arrin të shkojë më lehtë në zyrat e shtetit, madje me shumë sepse ashtu siç i interesohem për t’iu përgjigjur atyre që nuk i njeh, ashtu si platforma nuk kërkon teserën e partisë, as biografinë, është absolutisht e vërtetë që nuk interesohem për ata që njoh. Kjo është një luftë e përditshme, bëjmë sa mundemi, dhe jo aq sa duam, do të donim të bëjmë shumë më tepër, por mundësitë nuk janë të pakufizuara dhe çdo ditë nga një hap të vogël siç bëmë bashkërisht”, – theksoi Rama.

Sa i përket të burgosurve politikë mendoj që kemi bërë më shumë se të tjerët më parë, pasi kemi marrë përsipër shlyerjen e të gjitha detyrimeve për të gjallët, për ata që kanë qenë vetë në burg, jo për ata që janë trashëgimtarë apo pretendentë.

Sipas tij, jemi drejt mbylljes së kësaj historie.

“Sigurisht procesi do të vazhdojë edhe me të tjerë, por është e pafalshme që pas shembjes së komunizmit dhe daljes nga burgu të të burgosurve politikë, ka plot prej tyre që pritën 10-15 vjet dhe shkuan në botën tjetër pa marrë një qindarkë, ndërkohë që ka të tjerë që s’kanë bërë një vit burg dhe kanë marrë të gjithë kompensimin si kushërinj. Në ndonjë rast kanë qenë kushëri apo edhe spiun i atij që ka qenë në burg, ka plot raste të tilla”, – tha Rama. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.