Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të KiE-së, mision në Shqipëri

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një takim në Strasburg me Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Andreas Kiefer.

Meta tha se “në takim u shkëmbyen mendime të vlefshme për mbështetjen që Kongresi mund të japë në kapërcimin e krizës së qeverisjes vendore në Shqipëri pas 30 qershorit”.

“Shkëmbyem mendime të vlefshme për mbështetjen që Kongresi mund të japë në kapërcimin e krizës së qeverisjes vendore në Shqipëri pas 30 qershorit, në përmbushjen e standardeve demokratike që vendet anëtare të këtij institucioni, sikundër është vendi ynë, janë të obliguar të respektojnë dhe për ndërmarrjen e hapave konkretë nga ana e Kongresit në këto drejtime”, tha Meta.

Ai tha se “u dakordësuam për domosdoshmërinë e një misioni të Kongresit në Shqipëri në një kohë sa më të afërt”. “Demokracia në radhë të parë është vendore”, shtoi ai. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.