Këshilli Kombëtar për Integrimin/ Balla: Kuvendi, rezolutë për çeljen e negociatave me BE-në

TIRANË, 18 shtator/ATSH-Maela Marini/ “Kuvendi i Shqipërisë do të shqyrtojë në ditët në vijim një rezolutë lidhur me fillimin e procesit të bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian.

Balla u shpreh optimist për vendimin për çeljen e negociatave, ndërsa kërkoi në këtë Këshill që “secili të jetë i angazhuar në një promovim të gjithçkaje që ka bërë Shqipëria për të merituar rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave”.

Balla tha se është e patolerueshme që në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian sot mungojnë disa institucione, pa asnjë lloj arsyeje. Kjo, tha ai, e bën shumë të rëndësishme rritjen e masave monitoruese të Kuvendit ndaj tyre.

Balla tha se Këshilli do të mblidhet më intensivisht në javët dhe muajt në vijim, ndërsa u ndal te rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për çeljen e negociatave.

“Kemi diskutuar me Hajdarin dhe Kuvendi i Shqipërisë me propozim të komisionit të Integrimit Europian do të shqyrtojë në ditët në vijim një rezolutë si qëndrim zyrtar lidhur me fillimin e procesit të bisedimeve për anëtarësim”, tha Balla.

Po ashtu, Balla tha se “duhet të kuptojmë se Këshilli Kombëtar për Integrimin është një institucion që duhet konsultuar paraprakisht edhe nga qeveria lidhur me qëndrimet në Bruksel dhe vendet anëtare”.

“Delegacionet e Kuvendit në kuadër të diplomacisë parlamentare duhet të konsultohen me qeverinë për të pasur një qëndrim të përbashkët lidhur me çështjet e rëndësishme në kuadër të procesit të integrimit europian”, tha Balla. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.