“Juventus”, pa tifozë në Madrid

TIRANË, 18 shtator/ATSH/-  “Juventus” do të ndeshet mbrëmjen e sotme “Wanda Metropollitana” të Madridit me “Atletikon e Madrid”. Ndeshje e vlefshme për javën e parë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve, pritet të nis në orën 21:00.

Padyshim, për të besuarit e trajnerit Maurizio Sarri kjo është një transfertë delikate, pasi përcakton në një farë mënyre rrugëtimin e “Zonjës së Vjetër” në trofeun më të rëndësishëm evropianë. Por tifozët kanë deklaruar se nuk do jenë në këtë transfertë pasi janë në protestë karshi drejtuesve të “Juventusit”, pasi bardhezinjtë përmes një denoncimi në polici kanë çuar në arrestimin e disa kapove të disa tifo-grupeve të “Juventusit”.

Sipas hetimit të prokurorisë së Torinos, rezulton se disa prej kapove të tifo-grupeve kanë ushtruar presion ndaj personelit të “Juventusit” për favore në bileta dhe gjatë shfaqjes së pankartave në stadium. Pas një viti hetim, u arrit dhe arrestimi i personave të dyshuar se kryenin veprën penale në fjalë.

Pas këtij episodi, që u bë publik këtë javë, duket se tifozeria e organizuar e “Juventusit” ka marrë një pozicion ndaj shoqërisë bardhezi, duke u deklaruar në protestë dhe se nuk do marrin pjesë në ndeshjen e radhës së skuadrës kampione të Italisë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.