Bashkëqeverisja/ Subjekti Vllaznia Ndërtim I.S përfiton likuidimin e plotë financiar nga bashkia Klos

TIRANË, 18 shtator/ATSH/- Subjekti Vllaznia Ndërtim I.S, përfitoi likuidimin e plotë financiar nga bashkia Klos për kontratën e lidhur për “Sistemin Asfaltim i Rrugëve të brendshme të qytetit Klos (Loti I)”, pas ankesës së drejtuar në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.

Nga viti 2012 subjekti Vllaznia Ndërtim I.S, ishte në pritje të likujdimit që bashkia Klos i detyrohej këtij subjekti. Pasi objekti është përfunduar dhe dorëzuar, nga ana e Vllaznia Ndërtim I.S Sh.p.k janë kryer dhe lëshuar faturat përkatëse tatimore të shitjes.
Autoriteti Kontraktor- Bashkia Klos, nuk ka përmbushur detyrimet e saj duke likuiduar vetëm një pjesë shumë të vogël të faturave.

Çështja u trajtua nga dy institucione paralelisht si me bashkinë Klos ashtu dhe me Fondin për Zhvillimin e Rajoneve. Pas verifikimeve u krye dhe likujdimi total për këtë subjekt për punimet e kryera.

Në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes në Kryeministri, administratori i subjektit zoti Çela duke falënderuar për shlyeren e detyrimit financiar tha se “shpresoj që problematika të tilla marrin fund sa më shpejt, pasi ekziston si problem sot e kësaj dite”.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u shpreh se “më vjen shumë mirë që jemi në një fazë tjetër me një potencial të ri në aspektin e reagimit të pushtetit vendor ndaj halleve dhe problemeve të qytetarëve e sipërmarrjeve, se kemi pasur shumë pak ndërveprim për të mos thënë zero me bashkitë që kishin një tjetër ngjyrë tjetër politike”.

“Sot të gjithë kryetarët e rinj të bashkive marrin në mënyrë të përjavshme raportin e përgjithshëm të platformës dhe të gjitha rastet që duhen trajtuar brenda afateve dhe çdo rast jashtë afatit trajtohet me përparësi nga unë personalisht me ta. Kjo do të sjellë goxha ndryshim në raport me pushtetin vendor apo subjekteve e qytetarëve që kanë ankesa. Ashtu sikurse duke krijuar një forcë të shtuar në skuadrën e bashkëqeverisjes për biznesin dhe duke u fokusuar edhe më shumë platforma edhe tek biznesi, i është hapur rruga të gjithë subjekteve që merren me biznes që të mos humbasin kohë lart e poshtë, por direkt ti drejtohen platformës”-, nënvizoi Rama.

Sipas tij, platforma është zyrë ankesash e decentralizuar, ndryshe si ishte deri dje që çdo institucion kishte zyrën e vet të ankesave ku s’të dëgjonte njeri, sot është një zyrë ankesash e decentralizuar, dixhitale që shpërndan menjëherë ato ankesa që vijën në drejtimin e duhur dhe ka të mirën që lë gjurmë, pra askush nuk mund të thotë që nuk e dija, nuk e pashë, nuk e dëgjova.

“Ne po bëjmë një diskutim të brendshëm në luftën kundër korrupsionit dhe një nga pikat, hallkat e dobëta që duhet forcuar është hallka e inspektorëve tatimorë në raport me biznesin. Dje bëra publike një ide që jemi duke diskutuar për të incentivuar studentët që denoncojnë me provë jo me llafe dhe janë të gatshëm ti dalin për zot denoncimit pedagogë apo pjesëtarë të administratës që ju bëjnë presion korruptiv. Duke menduar të vendosim një burse plus për këta studentë, pra nëse e ke një bursë e merr edhe një tjetër një vjeçare, nëse nuk e ke e merr dhe duke zeruar tarifën për një vit”,- theksoi Rama.

Po kështu, vijoi Rama, po mendojmë për biznesin dhe së shpejti do bëjmë publike masat e reja ku çdo biznes duke filluar nga më i vogli që është shpehherë objekt i presioneve korruptive dhe pastaj deri tek fasha 140 mijë pra aty ku faktikisht kemi biznesin më të vogël. Kisha parasysh të dyja fashat kur thashë do e nisim me biznesin e vogël.

“Duam të incentivojmë biznesin e vogël për të denoncuar e vënë me shpatulla pas murit personazhin që vjen tek dyqani e bën presion, e shqetëson duke shkelur etiken duke kaluar përtej kufijve të ligjit.  Kjo do të jetë një ndihmë për biznesin, por do të jetë edhe ndihmë për shtetin, sepse do të na ndihmojë të identifikojmë personat e papërshtatshëm, ti identikojmë shumë më shpejt në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe ti çojmë para ligjit që të gjithë ta mësojnë se nuk mund të luash me qytetarin apo sipërmarrësin vetëm e vetëm se ke një uniformë apo një kravatë zyrtari”, tha Rama./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.