LONDËR – OSDH: Avionë luftarakë godasin zona pro iraniane pranë kufirit siriano-irakian

LONDËR, 17 shtator /ATSH-DPA/ – Avionë luftarakë të paidentifikuar goditën zona që i përkasin aleatëve pro iranianë të qeverisë Siriane, pranë kufirit siriano-irakian, tha sot një grup monitoruesish.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH) me qendër në Britaninë e Madhe tha se aeroplanët shënjestruan fshatin al-Heri, në zonën al-Bou Kamal, e ndodhur në lindje të Sirisë.

Observatori shtoi se nuk kishte informacion të menjëhershëm në lidhje me viktima ose dëme materiale.

Kjo është goditja e dytë ndaj aleatëve pro-iranianë pranë kufirit siriano-irakian për këtë muaj.

OSDH-ja tha më 9 shtator se të paktën 18 anëtarë të milicive pro iraniane u vranë, kur avionët luftarakë të paidentifikuar shënjestruan automjete ushtarake dhe depo armësh në zonën al-Bou Kamal dhe rrethinat e saj në fshatin lindor të Deir al-Zour.

Irani është aleat kryesor i presidentit sirian, Bashar al-Asad. Trupat iraniane dhe aleatët e tyre të milicisë nga Iraku dhe Libani, kanë luftuar krah trupave të qeverisë siriane që nga shpërthimi i kryengritjes në Siri në vitin 2011. / /sara/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.