Lezhë-Shkodër/ Finalizohen dy operacione antidrogë, kapen 2 të shpallur në kërkim

TIRANË, 17 shtator/ATSH/- Policia e Shkodrës dhe ajo e Lezhës kanë finalizuar të martën dy operacione policore anti drogë, duke prangosur dhe persona të shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit të Policisë Shkodër, është finalizuar operacioni policor “GREÇA“. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, falë një pune të mirë organizuar dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, në fshatin Selcë të Malësisë së Madhe, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasve:  Rr. P., 23 vjeç, banues në fshatin Selcë, Malësi e Madhe. Si edhe M. P., 21 vjeç, banues në fshatin Selcë, Malësi e Madhe. Për këta dy shtetas Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Më datë 10.03.2018, dy shtetasit nëpërmjet kufirit të gjelbër, nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi, në vendin e quajtur Shkalla e Selcës, kanë tentuar të trafikojnë lëndë narkotike (Kanabis sativa), armë dhe municione, por pasi janë hasur nga shërbimet policore, duke shfrytëzuar errësirën dhe terrenin malor janë larguar duke i braktisur ato. Nga Seksioni i Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë në bazë të informacioneve policore mbi personat e dyshuar, për një periudhë 18-mujore ka vazhduar hetimi për mbledhjen dhe sigurimin e provave ligjore për autorësinë e këtij rasti dhe nga tërësia e veprimeve policore dhe hetimore u arrit që të dokumentohet ky rast trafikimi.  Gjatë këtij operacioni është sekuestruar 74 kg lëndë narkotike Kanabis sativa, 1 armë zjarri dhe fishekë luftarakë.

Materialet u referuan në Prokurorinë për Krime të Rënda për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Në Lezhë, sipas njoftimi të Policisë, falë bashkëpunimit komunitet – polici, është finalizuar operacionin antidrogë ” Barbulloja”. Specialistët për hetimin e narkotikëve dhe forcat policore të Komisariatit të Policisë Lezhë, mbi  bazën e informacione të marra falë bashkëpunimit komunitet – polici, se një shtetas në banesën e tij fshihte drogë, kanë ushtruar kontroll të befasishëm, ku të fshehur në çatinë e shtëpisë së tij në fshatin Barbullojë në Lezhë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 6 kg 185 gram lëndë narkotike kanabis sativa. U arrestua në flagrancë shtetasi B.P. vjeç 49, banues në Lezhë, i dyshuar si posedues i saj, për veprën penale ” Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.

Materialet procedurale në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë për veprime të mëtejshme. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.