KABUL – Talebanët të gatshëm të nënshkruajnë një marrëveshje me SHBA

KABUL, 17 shtator /ATSH-DPA/ – Talebanët janë të gatshëm të nënshkruajnë një marrëveshje përfundimtare me SHBA, tha sot në një intervistë, nënkryetari i organizatës militante islamike, Sher Mohammad Abbas Stanekzai.

Stanekzai i tha BBC se militantët do të deklarojnë armëpushim me trupat amerikane në Afganistan, pasi të nënshkruhet marrëveshja.

Talebanët dhe SHBA ishin në procesin e nënshkrimit të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare në Afganistan, kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump anuloi papritur bisedimet e paqes javën e kaluar duke përmendur vrasjen e një ushtari amerikan dhe 13 të tjerëve në një bombardim taleban të ndodhur në fillim të këtij muaji.

Zëdhënësi i grupit militant tha se, ndërkohë, një delegacion taleban i përbërë nga katër anëtarë udhëtoi dje në Iran dhe u takua me zyrtarë të nivelit të lartë përfshirë këtu ministrin e Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.

Zëdhënësi tha se në në bisedime u diskutua procesi i paqes dhe mbrojtja e projekteve të zhvillimit iranian në Afganistan./ /sara/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.