FOTO/ Parku kombëtar i Qafështamës pastrohet nga mbetjet plastike

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Parku kombëtar i Qafështamës, i cili ofron një mozaik natyror dhe kulturor për qindra pushues, u pastrua këtë fundjavë nga punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura (AdZM) Durrës.

Ky aksion i ndërmarrë bën të mundur që turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë të shohin një Shqipëri të pastër, turistike dhe ambientale.

Stafi i AdZM Durrës bëri të mundur pastrimin e një pjese të Parkut të Qafështamës nga mbetjet plastike që janë hedhur në mënyrë të papërgjegjshme nga vizitorët e këtij parku.

Zona e Mbrojtur e Parkut të Qafështamës që ka një frekuentim gjithëvjetor, ka një sipërfaqe prej rreth 20 km2, e shpallur si e tillë prej vitit 1966. Ajo gjendet rreth 25 km në verilindje të qytetit të Krujës.

Ky park, prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, si vend kurativ dhe turistik.
Ajo çka e dallon Parkun Kombëtar të Qafështamës është masivi i Pishës së Zezë dhe Ahut, duke ofruar një peizazh të gjelbërimit të përhershëm të pishës dhe bukurisë natyrore të ndërthurur me ahun. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.