Meta: Qasja antagoniste ndërmjet palëve duhet të marrë fund

TIRANË, 16 shtator/ATSH/- Presidenti Ilir Meta priti në një takim Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, njëkohësisht deputet i SPD në Bundestagun gjerman, Christian Lange.

Presidenti Meta shprehu besimin në mbështetjen e Gjermanisë për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe strategjike ndërmjet dy vendeve.

Duke inkurajuar një vendim pozitiv të Këshillit Europian të 17-18 tetorit 2019 për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE, Meta theksoi se qasja antagoniste ndërmjet palëve duhet të marrë fund sa më shpejt, për t’u zëvendësuar nga dialogu konstruktiv dhe respektimi i ndërsjellë i Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.