FOTOGALERI/ Pushime në shtator, turistët holandezë “pushtojnë” Malin e Dajtit

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ – Mali i Dajtit, vetëm 22.4 kilometra larg qendrës së kryeqytetit, 1 613 metra mbi nivelin e detit është një tjetër atraksion i mrekullueshëm për turistët e huaj që vendosin të vizitojnë vendin tonë.

Në fundjavë një grup turistësh holandezë shijuan bukuritë e Malit të Dajtit mes peizazheve të mrekullueshme si dhe duke shijuar ecjen në shtigjet që ky vend ofron.

Turistët nga Holanda gjithashtu shijuan shëtitjet me kalë, si dhe gatimet tradicionale në baret dhe restorantet panoramike.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi duke përcjellë fotot shprehet se, “Mali i Dajtit, Parku Kombëtar, i “pushtuar” nga turistët holandezë”.

Mali i Dajtit me peizazhet pyjore të ahut, dushkut, gështenjave, qershive, frashërit, pishave të zeza, të fton të shkëputesh tërësisht nga jeta urbane e Tiranës për t’u bërë pjesë me natyrën.

Gjithashtu ky vend i përcjell turistëve një pamje spektakolare ku në perëndim ata shijojnë ngjyrat e qiellit që në mbi 1000 metër lartësi të cilat ofrojnë një spektakël të mahnitshëm, duke u shoqëruar dhe nga një pafundësi dritash vezëlluese të Tiranës. /a.a/j.p/

 

 

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.