FOTO/ “Servete Maçi”, ja si duket shkolla me arkitekturën e veçantë pas rindërtimit

TIRANË, 16 shtator/ATSH/- E cilësuar si shkolla më e bukur, me arkitekturën më të veçantë në vend, “Servete Maçi”, hapi sot dyert për nxënësit me ambiente me standarde cilësore dhe bashkëkohore.

Shkolla e cila deri dje ishte me kushte jo të përshtatshme për të bërë mësim, ka pësuar një transformim rrënjësor.

Kjo shkollë do të vlejë edhe si qendër komunitare për banorët e njësisë 9 si dhe të gjithë fëmijëve të qytetit të Tiranës. Në këtë shkollë do të zhvillohen edhe aktivitet jashtëshkollore që janë kaq shumë të nevojshme, të domosdoshme, për të pasur fëmijë sa më të kulturuar, përveç se sa më të arsimuar.

Shkolla “Servete Maçi”, që është edhe një shkollë muzike ka dhoma të dedikuara, si tek Liceu Artistik, bibliotekë cilësore, një palestër moderne, si dhe një auditorium që mund të përdoret nga nxënësit për eventet e koncertet e tyre apo nga prindërit dhe komuniteti për të bërë aktivitetet e tyre komunitare.

Shkolla “Servete Maçi” ndodhet në rrugën e “Dibrës”. Kjo shkollë është e njohur gjithashtu edhe si shkolla e muzikës, sepse në këtë institut studiohet violinë, piano etj. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.