Media italiane: Puna në Shqipëri e ardhmja e të rinjve italianë, historia e Vincenzo-s

TIRANË, 14 shtator/ATSH/- Nuk është djali i parë që ikën nga Italia për të kërkuar punë dhe sigurisht nuk do të jetë i fundit: Vincenzo Ciani ka gjetur punë në Shqipëri. Është e vërtetë që në Itali situata po përmirësohet, por kriza e viteve të fundit ka qenë shkatërruese për shumë punëtorë, veçanërisht për të rinjtë.

Kështu shkruan siti italian “Oltre Tv”, duke publikuar historinë e 29-vjeçarit italian Vincenzo Ciani, i cili punon dhe jeton në Shqipëri.

Jetojmë në një moment historik në të cilin mbretëron pasiguria, ku kontratat përfundojnë dhe janë gjithnjë e më të shkurtra, ku baballarët nuk mbërrijnë në fund të muajit.

Shumë të rinj janë detyruar të emigrojnë në vende të ndryshme për të gjetur punë: Vincenzo është njëri prej tyre dhe e ka gjetur të ardhmen e tij në Shqipëri.

Puna në Shqipëri: një vend me perspektivë që shikon drejt së ardhmes

Vincenzo Ciani është 29 vjeç dhe me origjinë nga një fshat i vogël puliez me 8 mijë banorë që jeton vetëm me bujqësi.

Në një intervistë për “Il Fatto Quotidiano” ai tregon për përvojën e tij që e shtyu të punojë në Shqipëri, ku edhe jeton akoma.

Gjithçka nisi me një ftesë në Tiranë për të paraqitur projektin e një siti kushtuar promovimit të Shqipërisë, i lindur për të çmontuar paragjykimet dhe stereotipet.

Pasi arriti në Shqipëri, Vincenzo mori disa oferta pune. Sektorët e tij janë teknologjia dhe informacioni.

Në Shqipëri janë shumë të kërkuar folësit autoktonë italianë. Ai kishte propozime për intervistë me shumë agjenci në internet ku kishte lënë kurrikulën. Sot ai punon si profesionist i lirë dhe merret me krijimin e faqeve në internet dhe marketingun social.

Ai shikon në Shqipëri një vend në zhvillim të plotë me startup dhe kompani të huaja që e zgjedhin atë falë taksimit të ulët dhe burokracisë së lehtësuar.

Paga minimale e vendosur nga Shteti për një punonjës është 250-300 euro. Një punëtor në një call center mund të fitojë rreth 500-600 euro.

Pagat ndryshojnë për profesionistët e pavarur si Vincenzo, veçanërisht nëse ato punojnë për kompani të huaja.

Vincenzo do të ishte i lumtur të kthehej në Itali sepse i mungojnë të afërmit dhe familja, por për momentin është një mundësi e largët, sepse është i bindur që duke jetuar në Tiranë ai ka fituar “në aspektin ekonomik, por mbi të gjitha për sa i përket cilësisë së jetës”.

“Unë menjëherë ndjeva se kisha gjetur atë që bën për mua. Gjeta shqiptarë mikpritës, bujarë dhe të shoqërueshëm. Dhe shumica flasin italisht”, vazhdon Vincenzo.

Për të riun 29-vjeçar Italia për të filluar përsëri “ka nevojë për një ndryshim gjenerativ neto. Ajo duhet t’u japë të rinjve mundësinë që të realizohen”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.