FOTOGALERI/ Festa e gatimeve tradicionale në Shëngjin, Ndreu: Lezha do bëhet një qendër e rëndësishme kulturore

TIRANË, 14 shtator/ ATSH/ – Qytetarë të shumtë u bënë pjesë e një aktiviteti festiv të organizuar nga bashkia Lezhë me qëllim promovimin e gatimeve tradicionale të Shëngjinit.

Veç mundësisë për të promovuar shijet tradicionale apo recetat e reja të mjeshtrave të kuzhinës, ky organizimi i dha jetë zonës bregdetare ku tashmë turistët janë më të paktë.

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu tha se kjo mbështetje për evente të tilla do të jetë e vazhdueshme me qëllim që Lezha të bëhet një qendër e rëndësishme kulturore.

“Që ti japim ritëm jetës së qytetit ne duhet ta bëjmë qytetin më të jetueshëm, më të gëzueshëm”, u shpreh Ndreu.

Këto festa mjaft interesante të cilat tregojnë vlerat dhe traditat e qyteteve tona janë kthyer tashmë në vendtakime mjaft interesante mes qytetarëve dhe turistëve që vizitojnë vendin tonë.

Festat në Lezhë do vijojnë dhe të dielën, në Kallmet ku “Festa e Venës” do mirëpresë qytetarët për të trokitur gotat e verës, duke i shoqëruar ato me gatimet tradicionale.

/a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.