Bllokohen 46,2 tonë produkte të pasigurta nga Brazili, ndër to 27 tonë mish pule me salmonelë

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë ndaloi hyrjen e 46,2 tonë produkte të pasigurta nga Brazili për territorin shqiptar, si dhe ndëshkoi me 5.25 milionë lekë për kundërvajtje ligjore 3 supermarkete në Tiranë.

Sipas njoftimit për shtyp të AKU-së, gjatë kontrollit të ushtruar në pikën e kalimit kufitar në Durrës dy ngarkesa me produkte importi, të dyja me origjinë nga Brazili dhe destinacion Shqipërinë, nga ku rezultoi: 27 tonë “Fileto pule” me ngarkesë mikrobiologjike (Salmonella app) dhe 19,2 tonë “Kafe kokërr e papjekur” me mangësi në dokumentacionin shoqërues (certifikatë fitosanitare e palëshuar nga autoriteti zyrtar i vendit të origjinës).

“Ndërsa gjatë kontrollit në 3 supermarkete u konstatua importim i produkteve ushqimore në kundërshtim me ligjin, ushtrim aktiviteti i palicencuar, kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare, mangësi në dokumentacion (gjurmueshmëri, plani HACCP), veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e Operatorit të Biznesit, tregtim i produkteve me afat përdorimi të kaluar, si dhe etiketim i produkteve jokonform ligjit”, thekson njoftimi i AKU-së.

Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori 9 masa administrative “Gjobë” me vlerën totale 5.25 milionë lekë për 3 subjektet, “Tërheqja e menjëhershme e produktit nga tregu” me destinacion asgjësimin për produktin oriz të importuar në kundërshtim me ligjin, si dhe “Kthimi në vendin e origjinës” për 46,2 tonë produkte importi të vlerësuar si të pasigurta për konsum human./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.