“Art 2019”, piktorja Cika çel ekspozitë në Muzeun Arkeologjik të Durrësit

TIRANË, 14 shtator/ATSH/- “Art 2019” titullohet ekspozita e ciklit “Pleiadë” e piktores, restauratores Liliana Cika e çelur në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.

Në këtë ekspozitë ishin të pranishëm miq, artdashës, familjarë dhe qytetarë, të cilët vlerësuan punë e bërë në vite nga piktorja dhe skuptorja Cika.

Në punimet e Cikës bien në sy piktura me peizazhe, portrete me në qendër figurën e gruas, etj.

Liliana Çika Kosturi është një skulptore dhe piktore e njohur, dikur specialiste pranë Muzeut të Kulturës Popullore në Durrës. Ajo e nisi rrugën e artit që në fëmijëri, me vizatime në oborrin e shtëpisë në Tiranë, teksa ëndërronte të bëhej piktore. Më pas, me telajo të bardhë, ngjyra të vërteta dhe me ndihmë profesionale ajo u bë një skulptore dhe piktore profesioniste.

Cika ka marrë pjesë në shumë ekspozita e konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare, në disa prej tyre është nderuar me çmim të parë e të dytë, si dhe ka marrë çmim Oskar për Arte Vizive në Monte Karlo.

Me skulpturën e gdhendur në dru të një gruaje zadrimore ajo ka marrë pjesë në një ekspozitë në galerinë “Mom Art” në Londër, ndërsa në Paris, me pikturat “Seviljet e kuqe” dhe “Lypësja”./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.