Ulja e papunësisë në 11,5%, Sorensen: Ekonomia jonë dhe biznesi po gjenerojnë punësim për të gjitha shtresat

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ Zv.ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Dajna Sorensen u shpreh sot, se raporti i fundit i INSTAT konfirmoi edhe një herë për të disatin tremujor rresht se performanca e tregut të punës është në trend rritje shumë pozitiv, papunësia për herë të parë ka shkuar në nivelin më të ulët historik 11,5% krahasuar me 2014, kur papunësia shkonte në 18,2%.

Sorensen tha se në këtë periudhë papunësia shënoi rënien më të madhe në grupmoshat e të rinjve, ku papunësia për këtë kategori në 2014 kalonte në nivelin 35%, ndërsa në raportin e fundit të INSTAT papunësia rinore shënoi 20,9% ose 14% më pak.

Sipas saj, shifrat pozitive të rritjes së punësimit tregojnë se ekonomia jonë dhe biznesi po gjenerojnë punësim për të gjitha shtresat përfshirë këtu të rinjtë që janë një kategori e vështirë për tu integruar në tregun e punës.

Sorensen u shpreh se aktualisht 68,9% e shqiptarëve janë të angazhuar në punë dhe kërkesa e biznesit për punësimin e profesionistëve janë në rritje.

“Gjysma e vendeve të punës që kërkohen nga biznesi janë të lirë, pasi kërkohen kualifikime të larta. Një industri që mund të punësonte pa fund është ajo e ‘IT’-së, ka kërkesa shumë të larta për programues”, u shpreh Sorensen.

Vetëm në tremujorin e fundit të këtij viti, pjesëmarrja e forcave të punës është rritur me 20 mijë qytetarë, ndërsa krahasuar me 2018, pjesëmarrja në forcat e punës u rrit me 34 mijë persona, që do të thotë se shqiptarët janë më tepër aktiv sot në tregun e punës dhe janë aktiv në përmbushjen e kërkesave që kërkon ky treg.

Ajo tha se shifrat e punësimit reflektojnë edhe efektin sezonal. Sipas saj, p.sh Vlora ka numrin më të lartë të punësuarve gjatë sezonit veror, po kështu edhe qytetet e tjera bregdetare. Sorensen vuri në dukje se sot biznesi po zgjedh për forcën e punës së kualifikuar, çka ka sjellë edhe rritje të pagave në shumë sektorë të ekonomisë së vendit.

Duke u ndalur në marrëveshjen që u miratua me Kanadanë për çështjen e pensioneve të shqiptarëve që kanë punuar atje, Sorensen tha se “janë 70 mijë qytetarë shqiptarë që përfitojnë nga kjo marrëveshje. Nëse një shqiptar ka jetuar 10 vite në Kanada përfiton një pension rezidencial, nëse ka qenë 20 vite i lind e drejta që ta eksportojnë, këtë pension ta marrë me vete”.

Sipas saj, Shqipëria ka marrëveshje të këtij lloji me 9 shtete, ndërsa përpjekjet e bashkëpunimit për zgjerimin e marrëveshjeve të tilla po vijojnë edhe me vende të tjera. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.