Soreca: Reforma zgjedhore, pika ku mund të nisë dialogu politik

TIRANË, 13 shtator /ATSH-Gjergji Mima/ Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori, Lugi Soreca, tha sot se dialogu politik duhet të nisë nga një pikë specifike dhe kjo pikë mund të jetë reforma zgjedhore.

Duke folur për gazetarët, lidhur me situatën politike, Soreca tha se, “ne i kemi kërkuar të gjitha partive politike të hynë në dialog që në fillim të krizës do të vazhdojmë ta bëjmë. Mendoj se dialogu duhet të nisë nga një pikë specifike dhe kjo pikë mund të jetë reforma zgjedhore. Reforma zgjedhore është e nevojshme. Mund të jetë momenti që të gjitha partitë të të shkojnë pas dhe të diskutojnë se çfarë është më e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, zgjedhja e përfaqësueseve, e bërë në një mënyrë të drejtë dhe në linjë me standardet ndërkombëtare”.

Soreca u shpreh se, “hapja e negociatave mund ta ndihmojë dialogun. Të gjitha palët politike duhet ta kuptojnë, që 91% e shqiptarëve duan të futen në BE dhe këto 91% janë të të gjitha krahëve të politikës”.

Soreca foli edhe për marrëveshjen e nënshkruar sot në MEPJ, duke theksuar se, “ne sot nënshkruam një marrëveshje prej 94 milionë eurosh të cilat i akordohen Shqipërisë për fusha shumë të rëndësishme si për shembull lufta kundër korrupsionit,krimit të organizuar, reforma në drejtësi, të gjitha këto çështje që janë të rëndësishme. Pra kjo tregon edhe njëherë angazhimin e BE duke bërë të mundur që Shqipëria të vazhdojë reformat e saj”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.