Shqipëria dhe Kroacia gjithmonë bashkë, dje në NATO, nesër në BE

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ – “Shqipëria dhe Kroacia gjithmonë bashkë. Dje në NATO, nesër në BE”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim lamtumire ambasadoren e Kroacisë në Shqipëri, Sanja Bujas-Juraga.

Ai shprehet se, “takimet e lamtumirës nuk janë të gëzueshme, aq më tepër për një mike si Ambasadorja e Kroacisë, Sanja Bujas-Juraga, e cila përfundoi mandatin e saj në vendin tonë”.

“I lumtur që mora premtimin e saj, se së shpejti do rikthehet në vendin tonë me familjen, për të kaluar një fundjavë së bashku, por dhe për të vizituar laboratorin e ri të Universitetit të Tiranës, për të cilin kanë kontribuar familjarisht”, theksoi Meta pas takimit.

“Sanja Bujas-Juraga i dha gjatë mandatit të saj edhe më shumë peshë marrëdhënieve tona të shkëlqyera historike me Kroacinë. Për herë të parë kemi nënshkrimin e Partneritetit Strategjik midis dy vendeve, që do t’i japë një përmbajtje më të fuqishme raporteve tona në të ardhmen”, u shpreh ai.

Po kështu, theksoi Kreu i Shtetit, “vëmendja ndaj arbanasve tanë të përbashkët u rrit si kurrë më parë. Shqipëria dhe Kroacia gjithmonë bashkë! Dje në NATO, nesër në BE dhe përgjithmonë në këtë rajon që falë dhe bukurive të dy vendeve tona është më i bukuri në botë dhe nga i cili të rinjtë nuk duhet të largohen”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.