Flota e peshkimit, 73 subjekte të licencuara më shumë se një vit më parë

TIRANË, 13 shtator /ATSH/- Në flotën e peshkimit, janë 73 subjekte të licencuara më shumë se një vit më parë, ndërsa të dhënat nga regjistri i flotës tregojnë se deri në fund të vitit të kaluar, janë 632 subjekte të licencuara për aktivitet peshkimi.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në vitin 2018, porti me numrin më të madh të anijeve të licencuara është Durrësi, me 37,0% të flotës së përgjithshme. Porti i Vlorës ka 31,0% të numrit të përgjithshëm të flotës, pasuar nga Porti i Sarandës me 16,0%. Portet e peshkimit të Himarës dhe Lushnjë-Fier janë ato me përqindjet më të vogla të subjekteve të licencuara për peshkim, përkatësisht me nga 2,0%.

Flota detare, shqiptare nisur nga qëllimi i anijes, ndahet në gjashtë lloje të ndryshme anije peshkimi. Pjesa më e madhe e flotës sonë është e përbërë nga anije me njica (67,0%) si dhe anije peshkimi me tërheqje (fundore dhe pelagjike), me 27,0%, të cilat përdoren kryesisht për të peshkuar peshqit fundorë. Pjesa tjetër janë anije shumëpërdorimshe dhe anije për qëllime të tjera.

Flota vepron pothuajse plotësisht në Nënzonën Gjeografike (NZGJ) 18 (Adriatiku i Jugut). e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.