BE, 94.1 milionë euro Shqipërisë për Reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar

TIRANË, 13 shtator /ATSH-Gjergji Mima/ Bashkimi Europian i ka akorduar Shqipërisë 94 milionë euro për fusha shumë të rëndësishme si luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, Reformën në Drejtësi.

Programi vjetor kombëtar IPA 2018, do të mbështesë sektorin e Demokracisë dhe Mirëqeverisjes, Shtetit të së Drejtës dhe të Drejtat Themelore, sektorin e Mjedisit, si dhe sektorin e Konkurrueshmërisë, me një fond total prej 94,1 milionë euro, si kontribut i BE-së.

Programi IPA 2018 synon ndër të tjera të mbështesë reformën në sektorin e Drejtësisë, me 42 milionë euro, ndërsa 19 milionë euro do të synojnë forcimin e Shtetit të së Drejtës dhe Luftës Kundër Krimit të Organizuar e Drogës.

Gjithashtu, 24.1 milionë euro do të jepen për të përmirësuar sistemin e trajtimit të ujërave që është shumë i rëndësishëm për të mbajtur të pastra brigjet dhe zonat tona turistike.

6 milionë euro do të nxisin zhvillimin e turizmit, duke adresuar trashëgiminë kulturore të vendit tonë.

Në ambientet e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, u nënshkrua sot Marrëveshja Financiare IPA 2018 mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Europian.

Në këtë ceremoni, MEPJ u përfaqësua zv/ministri, për Europën dhe Punët e Jashtme, Sokol Dedja, në cilësinë e tij si Koordinator Kombëtar i Fondeve IPA, ndërsa Komisioni Europian u përfaqësua nga ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca.

“Në rrugën tonë europiane, mbështetja financiare e Bashkimit Europian ka qenë një aset i jashtëzakonshëm në zbatimin e reformave kombëtare dhe përfitimi nga fondet IPA, përveç se ka ndihmuar vendin tonë në zbatimin e detyrimeve që lindin gjatë procesit të integrimit në BE, gjithashtu, në mënyrë konsistente, ka përbërë dhe përbën një faktor nxitës në përgatitjet e institucioneve qendrore për negociatat e ardhshme për anëtarësim”, – u shpreh zv/ministri Dedja.

Ndërsa ambasadori i BE, Luigi Soreca tha se “po ecim drejt një momenti shumë të rëndësishëm,  në lidhje me reformën në drejtësi. E kam thënë dhe më parë se si shumë pak vende kanë kryer një reformë të tillë kaq të thellë dhe Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që po kalon këtë proces. Merita së pari është e qytetarëve që e dëshironin dhe e kërkuan këtë ndryshim dhe institucioneve që e morën këtë sfidë. Duhet të vijojë zbatimi, reforma është e pakthyeshme”.

Ne, theksoi ai, “po vendosim në dispozicion të reformës 42 milionë euro për t’u siguruar që do të vijojë dhe se është e ardhmja. 34 milionë euro i jepet një kontribut i drejtpërdrejt buxhetit të Shqipërisë. Fondet e BE janë bazuar plotësisht në rezultatet e strategjisë së drejtësisë. Sa më shumë zbatohet kjo strategji aq më shumë para do të kalojnë. Për këtë arsye e nxis qeverinë shqiptare që me anën e koordinatorit ndërkombëtar të IPA, por po ashtu dhe çdo aktor dhe çdo institucion që të përmbushin angazhimet e kësaj strategjie dhe të japin rezultate të plota për reformën, për shembull pas këtij takimi do të takohem me ministren e drejtësisë për t’ia shprehur dhe asaj këto mesazhe”.

Mbështetja, theksoi Soreca, “mbulon të gjitha fushat dhe institucionet e sistemit të drejtësisë. Ajo po ashtu vjen në një moment shumë të rëndësishëm për të bërë të mundur dhe për të siguruar ngritjen e shpejtë dhe të plotë të institucioneve të reja. Dhe ne me padurim e presim këtë gjë”.

Ndërkohë që një element tjetër kyç i rëndësishëm i këtij programi, shtoi ai, “është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Javët dhe muajt në vijim do të jenë kyçe për Shqipërinë pasi ne jemi shumë afër krijimit të SPAK-ut, por edhe të BKH-së. Gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm si dhe ata që punojnë në fushën e sundimit të ligjit po diskutojnë tashmë sesi mund të ndiqet në mënyrën më efikase dhe të pavarur të mundshme lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Soreca tha se, qytetarët e Shqipërisë, me të cilët, u shpreh ai, “bisedoj nga dita në ditë, për shembull kur shkoj në bashki të ndryshme të vendit, por edhe kur jam duke ecur në rrugë e shoh që qytetarët kanë shpresa shumë të mëdha dhe dinë që reforma në drejtësi do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë dhe pozitiv në jetën  e tyre dhe i këtij mendimi është dhe BE”.

Ambasadori i BE nënvizoi se, “20 milionë euro do të vihen në dispozicion të prokurorisë dhe të Agjencive të zbatimit të ligjit për të arritur rezultate për goditjen e rrjeteve kriminale, por po ashtu për hetimet financiare, konfiskimet, menaxhimin efikas të kufirit të gjelbër dhe atij blu, Akademisë së Sigurisë, por po ashtu dhe bashkive për zbatimin e alternativave ekonomike, për sa i përket tashmë punëve të ndryshme në ato rajone”.

Soreca tha se, “partneriteti ynë shkon përtej zbatimit të ligjit. Si për shembull siç e thashë mbështetje mjaft të madhe për mjedisin, por edhe përmirësimin e cilësisë së ujit. Që do të thotë ndihma që do t’i jepet  infrastrukturave bashkiake për ujërat e zeza dhe po ashtu edhe për funksionimin e ujësjellësave.

Ndërkohë, shtoi ai, “6 milionë euro do të jepen për rehabilitimin e Bylisit, këtij vendi kaq unik për Shqipërinë, por edhe për Europën”.

“Kështu që po t’i hedhim sytë drejt së ardhmes me Komisionin e ri Europian që do të fillojë mandatin e vet, por ashtu edhe me ciklin e ri financiar të BE që fillon në vitin 2020, nuk ka kohë për të humbur. Reformat duhet të ecin përpara dhe në formë paralele të nisin përgatitjet për IPA 3. Periudha e 7 viteve të ardhshme do të sjellë ndryshime, por një gjë nuk do të ndryshojë që BE do të vazhdojë të jetë partneri numër një i Shqipërisë në nivel politik, financiar dhe ne presim që Shqipëria të rikthehet në familjen pjesë e së cilës ka qenë gjithnjë”, – përfundoi Soreca. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.