VIDEO/ Ligji për Qeverisjen Vendore, kthim i pakuptimtë nga Meta

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ – Deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino deklaroi sot në Kuvend, ku po shqyrtohet dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, se Meta kërkon që të mos ndryshohet ligji aktual.

“Ndryshuam 3 nene. Neni i parë. Vendosëm që pushteti vendor duhet të krijojë zyrat e diasporës. Neni 2, ishte që bilanci financiar i bashkive të raportohet brenda 31 majit dhe jo 31 marsit siç është ligji i financave lokale.Neni 3 ishte miratimi dhe tjetërsimi ose dhënia në përdorim e pronave tek të tretët. Ky nen tregon që nëse bashkitë do të shesin prona do të votohet me 3/5 të këshillit të bashkisë. Nëse i japin me qira për zhvillim ekonomik, ne e kishim në ligj që do të votohej prapë me 3/5-at”, tha Fino.

Deputeti socialist, u shpreh se, “në fakt ka ndryshim mes tjetërsimit dhe dhënies me qira apo për zhvillim ekonomik. Sepse nëse e shet ndryshon pronari. Ndërsa nëse e jep me qira, pronar është prapë bashkia. Prandaj e vumë votim me shumicë. Këtë kundërshton presidenti. Thotë që duhet ta lini siç ishte me 3/5”.

Fino dha shembullin e ministrive. “Ministri ka të drejtë të japë prona me qira. Po njësoj është si ajo që jep ministri, ashtu është dhe bashkia. Ndoshta duhet të bëjmë një ndryshim edhe më esencial, që siç e ka ministri në dorë dhënien me qira ta ketë edhe kryetari i bashkisë, por le të mos shkojmë deri këtu. Megjithëse kemi bërë një reformë shumë të suksesshme për 61 kryetarë bashkie. Kemi njerëz shumë të suksesshëm në të 61 bashkitë e Shqipërisë, kushdo qofshin ata të të gjitha forcave politike apo të këshillit. Por ne themi që kjo të bëhet me votim me shumicë të thjeshtë. Kjo është me pak fjalë esenca e kthimit të ligjit nga Presidenti”, tha Fino.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.