Marrëdhëniet Slloveni-Shqipëri, në fazë të re bashkëpunimi

TIRANË,12 shtator /ATSH – I. Vata/ – “Marrëdhëniet Slloveni-Shqipëri hyjnë në një fazë të re të bashkëpunimi”, ka theksuar ambasadori i Republikës së Sllovenisë në Republikën e Shqipërisë, Peter Japelj, ndërsa i prezantoi të enjten Letrat Kredenciale Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Presidenti Meta shprehu vlerësimin e tij për marrëdhëniet e shkëlqyera e të konsoliduara  mes Shqipërisë dhe Sllovenisë si dhe falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Sllovenia i jep Shqipërisë, veçanërisht në kuadrin e integrimit europian dhe zbatimit të reformave.

Po ashtu, Meta theksoi bashkëpunimin në lidhje me të rinjtë, si edhe nënvizoi rëndësinë e hapjes së perspektivave për ata, si dhe i shprehu besimin për forcimin shkëmbimeve në fushën ekonomike.

Ndërsa, Ambasadori Japelj falënderoi Presidentin Meta për vlerësimin dhe theksoi se marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve do të përmirësohen më tej.

“Shqipëria është një partner i rëndësishëm dypalësh, rajonal dhe shumëpalësh. Midis dy vendeve nuk ekziston asnjë çështje e hapur dhe Sllovenia do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në të gjitha fushat e nevojshme, duke marrë parasysh rolin e saj si një faktor stabiliteti në rajon”, theksoi ai.

Gjithashtu, Ambasadori Japelj u pajtua me nevojën për të çuar bashkëpunim ekonomik midis Sllovenisë dhe Shqipërisë në nivele më të larta.

Ambasadori i ri i Sllovenisë në Tiranë është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Lubjanës. Ai e filloi karrierën e tij diplomatike në vitin 1996 dhe që atëherë ka shënuar një përvojë shumë të pasur në shumë pozicione kyçe në vend, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, si dhe jashtë vendit, në përfaqësitë diplomatike sllovene.

Ambasadori Japelj është një diplomat karriere, i cili është dalluar gjatë shërbimit të tij në misionet diplomatike të Sllovenisë në Vjenë, Berlin dhe në Bashkimin Europian në Bruksel. Ai flet rrjedhshëm gjermanishten, anglishten dhe serbo-kroatishten, si edhe është njohës mjaft i mirë i gjuhës frënge dhe spanjolle. Ai është i martuar dhe ka një vajzë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.