3-mujori i dytë 2019/ Turizmi, komunikimi, bankat e bujqësia me rritjen më të lartë të pagave

TIRANË, 12 shtator /ATSH/- Sektori i turizmit, komunikimit, ai financiar dhe bujqësia,  ofruan rritjet më të larta të pagave për punonjësit e tyre, në tremujorin e dytë të vitit 2019.

Sipas INSTAT, rritjen më të lartë të pagave e shënoi sektori i hoteleri-turizmit me rritje vjetore prej 13%. Paga mujore bruto në mars-qershor 2019 arriti në 56.295 lekë nga 49.740 lekë që ishte më 2018. Zhvillimi i turizmit, zgjeroi sektorin e shërbimeve numrin e të punësuarve dhe pagat për në këtë sektor.

Ritme të larta të rritjes shënoi edhe sektori i komunikimit me 11% për të vijuar me bujqësinë, tregtinë, shërbimet dhe transportin që raportuan rritje vjetore të pagave me 6,3%.

Ndërsa nivelin më të lartë të pagave në Shqipëri e mbajnë aktivitetet financiare dhe të sigurimit, me 113 mijë lekë në muaj, të ndjekur nga informacioni dhe komunikacioni me 87 mijë lekë. “Zhvillimi i teknologjisë së informacionit në biznese po i bën profesionistët e kësaj fushe gjithnjë e më të kërkuar”, shprehen specialistët. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.