VIDEO/ Njësia speciale kundër “të fortëve”, Lleshaj: Rritja e forcës goditëse, garancia e suksesit të Reformës në Drejtësi


TIRANË, 11 shtator/ATSH/- Njësia Speciale e Kërkimit të personave që i janë shmangur drejtësisë brenda apo jashtë vendit (ndryshe njësia speciale kundër “të fortëve”), është një njësi e re elitë e Policisë së Shtetit, e cila po përmbush fazën stërvitore intensive, përpara daljes në terren.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj vizitoi mjediset ku punon dhe stërvitet Njësia Speciale e Kërkimit të personave që i janë shmangur drejtësisë. Gjatë vizitës ministri Lleshaj, që shoqërohej nga drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit, ndoqi disa veprime operacionale, pjesë e programit të ngjeshur që po zhvillon Njësia, që prej disa javësh, nga dita e krijimit të saj.

Ministri tha se shtimi i kapaciteteve operacionale dhe rritja e forcës goditëse të Policisë së Shtetit është garancia e suksesit të Reformës në Drejtësi.

“Është shumë e rëndësishme që të përcjellim mesazhin: “Drejtësia mund të vonojë, por kurrë nuk harron”. Ju jeni dëshmia dhe prova, kapaciteti që ne i japim qytetarëve shqiptarë, garancia se drejtësia në Shqipëri nuk do të harrojë askënd që i është shmangur asaj. Kjo njësi, e cila do të jetë një ndër njësitë elitë të Policisë Shqiptare, do të jetë pikërisht prova e këtij angazhimi serioz, për të kërkuar kudo që të jetë dhe për të vënë para drejtësisë këdo që ka llogari të hapura me të. Kjo është e para që dua t’iu them”, tha Lleshaj.

“E dyta, kjo njësi do të jetë edhe një element i rëndësishëm bashkëpunimi me partnerët tanë ndërkombëtar, për arsye se së shpejti, Njësia do të jetë pjesë e rrjetit europian të njësive që merren me kërkimin e personave që i janë shmangur drejtësisë”, vijoi ai.

“Në këtë kuadër përgjegjësia juaj del përtej kufijve të Shqipërisë, për arsye se ju do të jeni të angazhuar për të kërkuar jo vetëm personat që i janë shmangur drejtësisë në Shqipëri, por edhe persona që i janë shmangur drejtësisë në vende të tjera”, theksoi Lleshaj.

“Ashtu si kundër njësitë tuaja simotra homologe në vendet e europiane, do të jenë përgjegjëse dhe të angazhuara, për të kërkuar dhe venë para drejtësisë persona, të cilët i janë shmangur drejtësisë në Shqipëri apo në vendet e tjera. Kështu që para jush, shtrohen kërkesa të mëdha për motivim të lartë, për besnikëri ndaj misionit, për patriotizëm, për profesionalizëm, për qytetari, për vendosmëri, në mënyrë që ta plotësoni misionin e ngarkuar me nder”, tha Lleshaj.

“Jeni të parët që i hapni këto njësi shumë të rëndësishme për Policinë e Shtetit shqiptar. Do të fuqizoheni me tej, në të ardhmen, qoftë në numër, qoftë në teknologji, në pajisje dhe në mbështetje tjetër me qëllim që të mos mungojë asgjë për të realizuar këtë objektiv shumë të rëndësishëm”, tha Ministri i Brendshëm.

“Me këtë rast dua të them se Policia e Shtetit, po merr masa për të shtuar kapacitetet e saj, përveç prezencës territoriale edhe përmes shtimit të njësive, të cilat do të merren me aspekte të caktuara të punës së Policisë. Pra, krahas aspektit territorial do të kemi edhe një aspekt të fortë lëndor të Policisë së Shtetit, përmes fuqizimit të njësive ekzistuese dhe krijimit të njësive të reja”, shtoi Lleshaj.

“Si njësia juaj, që është e angazhuar për luftën kundër krimit të organizuar dhe me fokus kapjen e personave të shpallur në kërkim, do të krijohen edhe njësi të tjera.
Së shpejti ne presim të krijojmë Njësinë e Luftës kundër Krimit Ekonomik, e cila do të marrë po ashtu një rëndësi të veçantë në fushën e luftës kundër krimit ekonomik dhe pastrimit të parave. Njësi të tjera do t’i shtohen Policisë së Shtetit, Njësia e Luftës kundër Krimit Kompjuterik, njësi të tjera në fushën e informacionit dhe të inteligjencës, e të tjera me radhë”, tha Ministri i Brendshëm.

“Do të merren masa që të dy krahët e Policisë së Shtetit, si ai territorial, ashtu edhe ai lëndor të jenë po aq të fuqishëm, në mënyrë që, me një Polici të re të reformuar, të modernizuar, të motivuar të mund të mbështesim objektivin numër një që ka Shqipëria dhe shqiptarët që është zbatimi i Reformës në Drejtësi”, theksoi Lleshaj.

“Reforma në Drejtësi nuk mund të ketë sukses pa patur një Polici, e cila e zbaton atë. Është shumë e rëndësishme që Policia të ndjekë me ritmin më të lartë, atë progres të madh që po bëhet në fushën e Reformës në Drejtësi për t’i garantuar asaj suksesin përfundimtar”, vijoi Ministri.

“Drejtësia ka vlerë vetëm atëherë kur ajo zbatohet në praktikë. Ju jeni krahu që do të mundësoni zbatimin në praktikë të gjitha vendimeve që Drejtësia e re do të marrë në të ardhmen e afërt”, tha Lleshaj. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.