SHBA – Trump: Nuk i harrojmë kurrë heronjtë e 11 Shtatorit

UASHINGTON, 11 shtator /ATSH/ – Në Ditën e Patriotëve, ne përkujtojmë solemnisht pothuajse 3 000 njerëzit që humbën jetën në 11 shtator 2001.

Me mirënjohje, ne nderojmë punonjësit e ndihmës së parë, pjesëtarët e patundur të ushtrisë sonë dhe amerikanët e thjeshtë, të cilët treguan guxim të jashtëzakonshëm për të shpëtuar jetët e të tjerëve në atë ditë fatale, thuhet në një deklaratë të presidentit amerikan, Donald Trump me rastin e 18-vjetorit të 11 Shtatorit të vitit 2001, kur katër sulme ajrore të koordinuara terroriste nga al-Kaeda goditën Kullat Binjake dhe Pentagonin, ndërkohë që avioni i katërt u rrëzua në Pensilvani.

”Do të jemi gjithmonë mirënjohës për burrat dhe gratë heroike të Forcave tona të Armatosura që luftuan në mbrojtje të vendit tonë, pas sulmit më të madh terrorist në tokën amerikane dhe nuk do t’i harrojmë kurrë ata që bënë sakrificën përfundimtare për të mbrojtur pavarësinë tonë politike dhe lirinë”, shtoi ai.

”Shumë amerikanë kujtojnë si tani momentin kur terroristët vranë bashkatdhetarët tanë në Qendrën Botërore Tregtare në Nju Jork, në Pentagon dhe në Pensilvani. Një mëngjes i bukur shtatori u shkatërrua…, por forca, guximi dhe dhembshuria e Amerikës, megjithatë, kurrë nuk u tundën”, theksoi Trump.

”Kundër sfondit të akteve frikacake të terrorit, Amerika i tregoi edhe një herë botës fuqinë e pashoqe të vendosmërisë sonë dhe fuqinë e palëkundshme të karakterit tonë. Këtë vit, unë jam krenar që nënshkrova ligjin për Autorizimin e Përhershëm për Fondin e Kompensimit të Viktimave të 11 Shtatorit”, përfundoi presidenti amerikan, Donald Trump./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.