KINË – Përjashtohen nga mbitaksimi doganor disa produkte amerikane

PEKIN, 11 shtator /ATSH-AFP/ – Kina publikoi sot një listë të produkteve amerikane që do të përjashtohen nga mbitaksimi doganor vendosur vitin e kaluar, në një kohë kur Pekini dhe Uashingtoni do të takohen në tetor për bisedime tregtare.

Dy vendet janë përfshirë që prej vitit 2018 në një luftë tregtare që ka rezultuar me vendosjen reciproke të të drejtës doganore mbi 100 miliardë dollarë të shkëmbimeve dypalëshe.

“Përjashtimet e njoftuara sot do të mbulojnë 16 kategori të produkteve duke filluar nga 17 shtatori dhe për një vit. Ato do të jenë pesticidet për lubrifikantët duke kaluar te disa produkte farmaceutike”, njoftoi Komisioni për të Drejtat Doganore i qeverisë kineze.

Është hera e parë që Kina publikon një listë të tillë që prej aplikimit vitin e kaluar të mbitaksimit prej 25% për një sërë produktesh të importuara nga SHBA-ja.

Të drejtat doganore ndëshkuese do të vazhdojnë të aplikohen mbi kategoritë e produkteve bujqësore “made in USA”, si soja dhe mishi i derrit.

Qeveria kineze theksoi sot se listat e tjera të produkteve që i nënshtrohen mbitaksimit doganor do të njoftohen pas studimit në kohën e duhur.

Pavarësisht tensioneve dypalëshe, Kina dhe SHBA-ja theksuan se do të mbajnë dialogun. Negociatorët e dy vendeve do të mblidhen në fillim të tetorit në Uashington./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.