Cakaj, vizitë në muzeun e viktimave të Holokaustit në Izrael: Shqiptarët, mburojë kundër së keqes

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Gjatë qëndrimit në Izrael, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj vizitoi edhe muzeun e viktimave të Holokaustit.

“Ishte detyrim moral vizita në muzeun e viktimave të Holokaustit për të përkujtuar mizorinë më të tmerrshme të kryer ndaj gjinisë njerëzore dhe orët më të liga të historisë botërore”, u shpreh Cakaj.

Pas tuneleve të errëta të Yad Vashem, përmes të cilave shpaloset pesha më e rëndë e kujtimeve të përvuajtshme përballë së keqës rrënjësore që mori trajtën e përpjekjes për shfarosjen e plotë të hebrenjve në përgjithësi, në fund shfaqet rrezja e bardhë e dritës mbi fushat e bekuara të Jurezalemit.

“Ky përjetim duhet të shërben për të ndërmendur se fuqia e patjetërsueshme e kurajos njerëzore triumfon qoftë edhe mbi dhimbjet që nuk mund të përshkruhen e humbjet që nuk mund të zëvendësohen! Ajo kurorëzon shembullin e prekshëm se në fund përkushtimi ndaj mirësisë së përbotshme tejkalon edhe djallëzinë më të shëmtuar mbi faqen e tokës”, tha Cakaj.

Sipas Cakajt, përkujtimi i viktimave të Holokaustit duhet të shndërrohet menjëherë në angazhim kundër çdo trajte të antisemitizmit në veçanti dhe diskriminimit etnik apo fetar në përgjithësi.

“Shqipëria është i vetmi vend në kontinentin europian ku numri i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është shumëfishuar falë vlerave të shqiptarëve të zakonshëm që, duke hapur dyert e zemrave të tyre, u bënë mburojë shembullore kundër të keqës rrënjësore që la pas vetëm shfarosje e shkatërrim”, u shpreh Cakaj

Përkujtimi i viktimave të Holokaustit, sipas tij, gjithmonë duhet të nxisë një vetëreflektim të thellë historik dhe një vetëdijësim të madh moral jo vetëm kundër një historie që nuk duhet të përseritet por edhe për një botë solidare pa shtypje e përjashtim në baza etnike apo fetare. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.