Qato: Prioritet turizmi, në 6 muaj u hapën 6 akse rrugore

TIRANË, 10 shtator/ATSH-Maela Marini/ Në 6 muaj u hapën 6 akse rrugore me prioritet shumë të lartë për turizmin.

Në analizën e performancës së ARRSH-së, drejtoresha Sonila Qato u ndal te prioritetet e punës gjatë 6 muajve të fundit, duke nënvizuar fokusin te nxitja e turizmit.

“ARRSH në kuadër të prioritetit të qeverisë për nxitjen e turizmit ka orientuar dhe menaxhuar të gjithë aktivitetin e saj gjatë 6 muajve të parë të këtij viti për përfundimin dhe hapjen për trafik të 6 akseve rrugore të rëndësishme, duke lehtësuar jashtëzakonisht shumë trafikun për qytetarët gjatë sezonit veror”, tha Qato.

Ajo vuri në dukej se u bë hapja e plotë e autostradës Tiranë-Elbasan, duke përfshirë këtu hapjen e tunelit të ndërtuar për stabilizimin e rrëshqitjes së ndodhur pak kohë më parë.

Po ashtu, sipas Qatos u bë hapja e plotë e rrugës Lin-Pogradec, duke marrë masa në kohë reale për stabilizimin e rrëshqitjes së ndodhur në shkurt 2019.

“U bë hapja e një aksi të rëndësishëm si ai i bypass-it të Fierit, ku përgjatë 22 km rrugë u vu në dispozicion të mjeteve të tonazhit të lehtë një korsi vajtje-ardhje e kompletuar me të gjithë elementët e sigurisë rrugore. U bë hapja e plotë e rrugës Burrel-Klos me vetëm 10.6 km. Përfunduam rrugën Skrapar-Përmet loti 1”, tha Qato.

Së fundi, ajo vuri në dukje se vetëm pak ditë më parë u bë hapja e plotë e rrugës Kukës-Morinë prej 13 km dhe përfundimi me sukses i veprave të artit për 7 via dukte përgjatë korsisë së majtë të këtij aksi të rëndësishëm kombëtar.

Qato tha se është bërë po ashtu edhe ndriçimi i rrugëve kombëtare. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.