PD kërkesë prokurorisë për verifikimin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës

TIRANË, 10 shtator /ATSH – I. Vata/ – Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë verifikimin e kryetarit të bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani, pasi sipas saj, dyshohet se ai ka fshehur ndalime, dënime dhe dëbime nga Italia dhe Maqedonia e Veriut.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka dorëzuar në prokurori të gjithë informacionin që disponon.

“Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali gjatë periudhës 1994 -1999 dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga ana tjetër, të dhëna të bëra publike më parë tregojnë se ai ka qenë i arrestuar/ndaluar dhe më pas dënuar edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës 2002-2003.”- thuhet në shkresën e Partisë Demokratike, ku zbulohet edhe një detaj tjetër, që ngre dyshime të arsyeshme se mark Babani i bashkisë së Vaut të Dejës ka gënjyer në formularin e dekriminalizmit”, thuhet në kërkesën e PD-së, drejtuar prokurorisë.

Po ashtu, bëhet e ditur se  “në Formularin e Vetëdeklarimit, shtetasi Mark Babani ka deklaruar se ka jetuar për 5 vite në Itali. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Mark Babani nga periudha 1994–2005 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë me identitetin e tij real, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”

Partia Demokratike vë në dijeni Prokurorinë edhe për të paktën 3 identitete të tjera që Mark Babani.

“Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Mark Babani ka deklaruar se ka mbajtur identitetin e ndryshuar Mark Ndoc Babaj, i datëlindjes 24.12.1966. Ekzistojnë dyshime të arsyeshme sipas indicieve të bëra publike më parë, se ky shtetas, gjithashtu në mënyrë ilegale ka mbajtur edhe disa identitete të tjera, të padeklaruara në Formularin e Dekriminalizimit, si më poshtë: Mark Ndoc Babani, i datëlindjes 24.12.1965. Marq Saimir Babaj, i datëlindjes 11.06.1967. Ylli Saimir Babaj, i datëlindjes 02.11.1968”, thuhet në kërkesë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.