Studentët e punësuar pranë Ministrisë së Drejtësisë/ Gjonaj: Krenari që besova te formimi i tyre

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Në kuadër të Paktit për Universitetin dhe platformës për punësimin e studentëve të ekselencës, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj sjell rastin e katër të rinjve të cilët i janë bashkuar administratës që ajo drejton.

“Kur eksperienca e vyer e më të vjetërve, bashkohet me energjinë, pasionin dhe dijen e më të rinjve, shndërrohen në një formulë suksesi për mirëfunksionimin e të gjithë institucionit. Teksa monitoroj rezultatet e para që kanë arritur këta të rinj, ndjej krenari që besova te formimi i tyre për të rigjeneruar dhe fuqizuar pjesën e administratës që drejtoj. Sot zgjodha t’ju prezantoj me katër nga dhjetëra djem dhe vajza, të cilët përmes edukimit, punës dhe angazhimit janë bërë pjesë e skuadrës sonë që në bërthamë mban si magnet vlerash meritën dhe vetëm meritën. Jam besimplotë se si pjesë e zotimeve të ndërmarra në kuadër të Paktit për Universitetin dhe platformës për punësimin e studentëve të ekselencës ndaj të cilave jemi angazhuar, do të vijojmë të shënojmë bilance pozitive”, tha Gjonaj.

Ermelinda Sherifi është 22 vjeçe dhe ka studiuar Shkenca Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale ku aktualisht është në përfundim të studimeve Master në Administrim Publik.

“Duke qenë se plotësoja kriteret, vendosa të aplikoj për një eksperiencë pune. Pas përfundimit të afatit të aplikimit, erdhi njoftimi që isha përzgjedhur për të kryer praktikën pranë Sektorit të Çështjeve Shoqërore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Eksperienca ishte tepër e vlefshme, ku pas saj më ofruan kontratën e punës”, thotë ajo.

Lavdie Bardhoshi është 25 vjeçe dhe ka përfunduar studimet master për Ekonomiks në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.

“Institucioni që përzgjodha gjatë aplikimit ishte Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës, vendi ku aktualisht punoj. Falë këtij programi dhe falë mbështetjes së stafit të DPSHP, arrita të mësoj dhe të përvetësoj shumë njohuri lidhur me proceset e punës në sektorin e financës”, thotë Bardhoshi.

Enea Liko është 24 vjeç dhe ka përfunduar studimet në degën Histori pranë Universitetit të Tiranës.

“Pas aplikimit të bërë për zhvillimin e një praktike pune pranë Ministrisë së Drejtësisë, u përzgjodha fitues nga komisioni i ngritur për përzgjedhjen e praktikantëve. Komisioni vlerësoi me profesionalizëm kërkesën time dhe rrjedhimisht më caktoi në Sektorin e Arkiv-Protokollit. Pas marrjes së vlerësimit maksimal në përmbyllje të praktikës, nënshkrova kontratën e punës”, tha ai.

Albi Mato i ka mbushur 22 vjeç dhe është student i ekselencës në Masterin Shkencor Penal pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

“Zgjodha Institutin e Mjekësisë Ligjore ku në përfundim të provës m’u ofrua punësimi në bazë të rezultateve. E vlerësoj këtë mundësi pasi kam kultivuar vëmendjen, marrëdhëniet me njerëzit dhe përgjegjësinë si elementë të domosdoshëm për të punuar pranë administratës”, tha Mato. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.