NJU JORK – OKB e shqetësuar për situatën në Kashmir

NJU JORK, 9 shtator /ATSH-AA/ – Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka shprehur shqetësime në lidhje me veprimet e fundit të Indisë dhe ndikimin e tyre ndaj situatës me të drejtat e njeriut në rajonin Xhamu dhe Kashmir.

“Jam thellësisht e shqetësuar për ndikimin e veprimeve të fundit nga Qeveria e Indisë në lidhje me të drejtat e njeriut për banorët e Kashmirit, përfshirë edhe kufizimet e internetit, komunikimin dhe tubimit paqësor, si dhe ndalimin e liderëve politikë lokal dhe aktivistëve”, tha Komisionerja e Lartë e OKB-së, Michelle Bachelet gjatë sesionit të 42-të të rregullt të Këshillit në Gjenevë.

Bachelet hapi sesionin dhe informoi Këshillin për situatën me të drejtat e njeriut në të gjithë botën.

Ajo tha se në zyrën e saj vazhdojnë të vijnë raportime për situatën me të drejtat e njeriut nga të dyja anët e Linjës së Kontrollit (LOC), që “de facto” është kufiri që ndan luginën e Kashmirit mes Pakistanit dhe Indisë.

“Përderisa unë vazhdoj të nxis qeveritë e Indisë dhe Pakistanit që të sigurojnë që të drejtat e njeriut respektohen dhe mbrohen, unë i kam bërë thirrje veçanërisht Indisë që të lehtësojë bllokimet aktuale ose paraburgimet, të sigurojë qasjen e njerëzve në shërbimet themelore dhe të gjitha të drejtat e procesit të duhur të respektohen për ata që janë ndaluar”, tha Bachelet.

Ajo gjithashtu bëri thirrje që të konsultohet populli i Kashmirit për çfarëdo procesi të vendimmarrjes që ka ndikim në të ardhmen e tyre. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.