Konflikt interesi me shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Meta: E shmanga pyetjen me qëllim

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Presidenca sqaroi sot arsyen e mungesës së një përgjigjeje të drejtpërdrejtë të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ndaj pyetjes së një deputeti në komisionin hetimor nëse ishte Kreu i Shtetit, në konflikt interesi me vendimin për të shtyrë datën e zgjedhjeve.

I pyetur nga media, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi sqaroi se “Presidenti Meta, qëllimisht e shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë ndaj pyetjes së deputetit në fjalë, për të mos e dëmtuar atmosferën konstruktive të mbledhjes ku ishte i ftuar”.

“Kjo për arsyen se të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, përfshirë edhe ata që ankohen sot për dekretin e shfuqizuar të 30 qershorit, janë minimalisht në konflikt të dyfishtë dhe të drejtpërdrejtë interesi”, tha Blushi.

Së pari, sipas tij, “çdo deputet i Kuvendit e ka fituar mandatin e tij nga një proces zgjedhor i shtyrë, nga data 18 qershor 2017 në 25 qershor 2017, me Dekretin Nr. 10351, datë 21.05.2017, të ish-Presidentit Nishani”.

Së dyti, Blushi tha se “deputetët e pranishëm sot në seancën dëgjimore, janë njëherazi edhe votues të rezolutës së Kuvendit të datës 13 qershor ku është shprehur gjykimi mbi aktet e Kreut të Shtetit, edhe anëtarë të komisionit të posaçëm, papajtueshmëri kjo që është e ndaluar nga rregullorja e Kuvendit dhe ligji”.

“Së treti, vetë deputeti që adresoi pyetjen, është në një situatë të katërfishtë të konfliktit të interesit: 1. Ka marrë mandatin nga zgjedhje të shtyra me dekret të Presidentit; 2. Ka votuar pro miratimit të rezolutës së datës 13 qershor 2019; Ka nënshkruar kërkesën fillestare për verifikimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit; Aktualisht është edhe kërkues, edhe vlerësues i kërkesës që po vetë ka firmosur, për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit”, tha ai. /m.m/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.