Komisioni Hetimor për shkarkimin, Meta: Zgjedhjet i anulova pasi do të digjej Kuvendi

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ – Komisioni Hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta ka nisur sot me dëshminë e Presidentit Meta në lidhje me shfuqizimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit dhe caktimin e datës së re më 13 tetor.

Në nisje të seancës, kreu i Komisionit, Ulsi Manja u shpreh se “Komisioni duhet të shohë përtej rastit konkret. Respektimi i parimeve vihet shpesh herë në provë duke u mbështetur në parime”.

“E vetmja mënyrë që debatet politike të kenë aq vend sa duhet është sistemi që kemi zgjedhur duke hequr dorë nga vendimet e çastit. Kushtetuta nuk përcakton detaje për ushtrimin e kompetencave, por janë udhëheqësit e shtetit që i nxisin. Sot presidenti dëshmon si presoni ndaj të cilit ka nisur një procedurë për shkarkim. Kjo mbledhje do të incizohet për t’u zbardhur autentikisht”, – u shpreh Manja.

Presidenti Meta në fjalën e tij tha se, “të gjithë aktet e mia janë publike lidhur me dekretet për shfuqizimin e datës 30 qershor si datë për zgjedhje vendore dhe dekretimi i datës 13 tetor si datë zgjedhjesh të përgjithshme. Unë kam dhënë një përgjigje për Kryeparlamentarin Ruçi e cila është bërë publike. Kam një bindje të plotë që çdo politikan duhet të tregojë respekt ndaj institucioneve. Jam i bindur që Kuvendi e ka bërë gjykimin para se të nisë këtë proces”.

Kreu i Shtetit tha se veç Kushtetutës së Shqipërisë, është bazuar edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, dhe në marrëveshjen e stabilizimin asociimit për vendimet e tij për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

Para komisionit hetimor për dekretet e tij, Presidenti tha se detyra e tij është të garantojë detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë. Duke thënë se në themel të Kushtetutës është pluralizmi politik, ai tha se qytetarëve u duhej bërë e qartë dallimi mes votimeve dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Për të dhënë edhe disa të dhëna për të qartësuar. Po e nis me çështjen e parë të mbrojtjes apo shkeljes së Kushtetutës që i takon qytetarit shqiptar sa i takon të zgjedhurit. Nuk ka nevojë për shumë interpretime për të përcaktuar se çdo të thotë të zgjedhësh. Konventat e përcaktojnë shumë mirë dallimin mes votimit dhe zgjedhjes. Gjykata Ndërkombëtare në vitin 2015 ka marrë një vendim të ngjashëm ndaj Bullgarisë për një shkelje të vitit 2009. Në arsyetimin e gjykatës thuhet se e drejta e votës e garantuar nga neni 3 e protokollit nuk është e limituar në zgjedhjen e një kandidatit. Vota duhet të garantojë të drejtën e zgjedhjes në të kundërt zgjedhësit do i mungonte e drejta e tij. Presidenti me dekretin e tij ka mbrojtur të drejtën e zgjedhjes së qytetarëve shqiptarë. Nëse presidenti e ka respektuar apo e ka mbrojtur të drejtën e zgjedhjes”, – u shpreh Meta.

“Presidenti e ka për detyrë më shumë sesa vetë qeveria që të garantojë detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, për këtë arsye mandati i presidentit është 5-vjeçar, ndërsa i qeverisë 4-vjeçar, që të garantojë vazhdimësinë e detyrimeve ndërkombëtare. Përpara këtij parimi kushtetues çdo lloj afati është tërësisht sekondar, ndërsa parësore është mbrojtja e të drejtës për zgjedhjeve. Askush më shumë se gjykata europiane e të drejtave të njeriut, nuk mund ta sqarojë më qartë këtë të drejtë të zgjedhjes”, – tha Meta.

Presidenti Meta u shpreh gjithashtu se një nga arsyet që e shtyu të anulojë zgjedhjet ishte fakti se kishte pasur një informacion sekret që thoshte se në protestën e 8 qershorit do i vihej flaka Kuvendit të Shqipërisë.

“Një arsye themelore është siguria e vendit. Presidenti ka pasur informacione të mjaftueshme për përpjekjet për të organizuar akte destabilizimi në vend. Një ditë para se presidenti të bënte paralajmërimin e tij për anulimin e datës 30 qershor kam marrë një informacion sekret dhe të klasifikuar i cili bënte të qartë që persona të caktuar do shfrytëzonin mitingun e opozitës për djegien e Kuvendit të Shqipërisë. Ky ishte një informacion tërësisht i besueshëm. Po të kemi parasysh pasojat dhe konfrontimet në protesta me shumë policë të plagosur, duke i kombinuar këto rrethana pa dyshim që presidenti nuk mund të pranonte një situatë të tillë, një ngjarje që mund të prodhonte edhe pasoja për jetën e qytetarëve dhe shkatërrim të imazhit tonë. Do të ishte goditje shumë e fortë jo thjesht për zgjedhjet, por kthim i madh pas për vendin dhe të dy palët kishin dhënë shembuj të shkëlqyer të vendosmërisë për të ecur drejt konfrontimit dhe për të mos mbajtur asnjë përgjegjësi mbi pasojat”, – u shpreh Meta.

I pyetur nga deputetja Klotilda Ferhati nëse anulimi i datës së zgjedhjeve rrezikon një precedent, Meta u përgjigj se, “Presidenti nuk ka pasur shqetësim të plotësojë tekat e opozitës, por të garantojë një proces zgjedhor gjithëpërfshirës sa më shumë të ishte e mundur, por në çdo rast për të shmangur shndërrimin e zgjedhjeve në votime. Kjo ka qenë një përpjekje e sinqertë. Duhet të keni parasysh se qëndrimi im ka qenë forcimi i institucioneve, qëndrimi im ndaj opozitës ka qenë mjaft kritik për lënien e mandateve”.

Ndërsa deputetja e PS, Vasilika Hysi e pyeti Presidentin nëse ka cenuar Kushtetutën me vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve, lidhur me argumentimin e tij se shtyrja e procesit do të sillte zgjedhje të lira dhe çfarë masash ka marrë Presidenti lidhur me informacionet se cenohej siguria kombëtare.

Meta tha se autoritetin për të anuluar zgjedhjet nuk ia përcakton Kushtetuta, por nga ana tjetër as nuk ia ndalon. “E kam në bazë të praktikës së presidentëve. Nuk ma jep asnjë nen, por as nuk ma ndalon. Pyetja nuk është shumë e gjetur. Të gjithë presidentët e mëparshëm kanë bërë të njëjtën gjë për të shmangur kriza dhe gjakderdhje. Presidenti nuk mund të priste që të ndodhte një gjakderdhje për të ndërmarrë atë akt. Kodi Zgjedhor nuk parashikon ndeshje me një kandidat”, – tha Meta.

Ndërsa lidhur me argumentin për garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme Meta u shpreh se edhe nëse nuk do merrte pjesë në zgjedhje opozita, do i jepej më shumë kohë opozitës se re parlamentare që të gjente kandidatë”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.