Futboll – Italia dhe Spanja pranë kualifikimit në Euro 2020

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Italia dhe Spanja janë shumë pranë kualifikimit në kampionatin Europian të vitit 2020.

“Të kaltrit” e Roberto Mancinit triumfuan edhe në transfertën e vështirë të Tamperes me rezultatin 1-2 ndaj Finlandës vendase.

Immobile dhe Jorginho me penallti ishin autorët e golave për Italinë ndërsa për Finlandën barazoi përkohësisht shifrat në 1-1 Pukki sërish me penallti. Me fitoren ndaj skuadrës që pozicionohet e dyta në grupin J, skuadrës së Mancinit tashmë i mjafton vetëm një fitore në 4 ndeshjet e mbetura për të prekur kualifikimin në Euro 2020.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi Greqia zhgënjeu sërish pasi u ndal në një barazim 1-1 edhe nga modestët e Lihtenshtejnit me dy skuadrat që ndajnë dy vendet e fundit të renditjes. Përfundoi në barazim edhe sfida e kthimit në derbin nordik mes Suedisë dhe Norvegjisë.

Këtë herë në “Friends Arena” në Stockholm gjithçka u mbyll në barazim 1-1 me Suedinë që rimori vendin e 2-të me një pikë më shumë se Rumania dhe 2 më shumë se Norvegjia. Golit të Johansen në fundin e pjesës së parë iu kundërpërgjigj Forsberg me një gol shumë të bukur në minutën e 60-të që fiksoi shifrat në 1-1.

Vazhdon të fitojë Spanja që mori fitoren e 6-të në po aq ndeshje në grupin F kualifikues të Euro 2020. Në stadiumin “El Molinon” në Gijon, Spanja mposhti 4-0 Ishujt Faroe me dy sulmuesit Rodrigo Moreno dhe Paco Alcacer që realizuan nga dy herë për skuadrën e Robert Morenos.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.