Euro 2020/ Gjermania sfidon Irlandën e Veriut, Holanda luan në Estoni

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Sfidat kualifikuese për kampionatin Europian të vitit 2020 do të vijojnë edhe mbrëmjen e sotme, ku spikat grupi i Holandës dhe Gjermanisë.

Vetëm 3 ditë pas humbjes në Hamburg me rezultatin 2-4 përballë Holandës, Gjermania do të ketë shansin të kthejë menjëherë faqen dhe të rikthehet te sukseset, pasi mbrëmjen e sotme do të luajë në transfertën përballë Irlandës së Veriut.

Të besuarit e Joakim Low zhgënjyen totalisht si me lojë edhe me rezultat përballë “tulipanëve”, por mbrëmjen e sotme do të kenë mundësi t’u shkaktojnë humbjen e parë vendasve dhe të marrin kreun e grupit.

Kalendari favorizoi ndjeshëm Irlandën e Veriut, që 4 ndeshjet e para i pati me dy kundërshtarët më të lehta të grupit, Estoninë dhe Bjellorusinë, duke arritur të marrë 12 pikë të plota.

Megjithatë 4 ndeshjet e radhës do të jenë përballë Gjermanisë e Holandës, ndaj jo vetëm kreu, por edhe shanset për kualifikim janë të reduktuara për irlandezoveriorët, që gjithsesi do të tentojnë befasinë, duke filluar që nga mbrëmja e sotme.

Nga ana tjetër, pas fitores së bukur në Gjermani, Holandën e pret sot një tjetër transfertë, por këtë herë shumë më modeste, përballë Estonisë, ku marrja e 3 pikëve është një detyrim për djemtë e drejtuar nga Ronald Koeman.

Sfidat e tjera interesante të mbrëmjes janë edhe Skoci-Belgjikë dhe Letoni-Maqedoni e Veriut, ku veçanërisht takimi i parë pritet të jetë vërtetë i luftuar, ndonëse belgët kanë marrë pikët maksimale deri tani dhe thuajse kanë prekur kualifikimin.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.