FOTO/ Nismat e para të kryebashkiakut Isai për t’i kthyer normalitetin e dinjitetin Kolonjës

TIRANE, 8 shtator/ATSH/- Nga prishja e ndërtimeve pa leje, ndërprerjet e lidhjeve të paligjshme të ujit apo rikthimi i hapësirave të gjelbra për qytetarët, janë vetëm disa nga punët e nisura nga kryebashkiaku Erion Isai për t’i kthyer normalitetin dhe dinjitetin Kolonjës.

Policia bashkiake po bashkëpunon me qytetarët që në mënyrë vullnetare ata të bëjnë të mundur largimin e barangave, heqjen e rrethimeve rreth pallateve me rrjeta teli, blloqe betoni apo struktura të tjera; largimin e bagëtive dhe prishjen e ndërtimeve pa leje.

“Nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi me shkelësit e ligjit, por çdo veprim do të kryhet duke u konsultuar me dokumentacionin paraprak që çdo subjekt do të paraqesë”, nënvizon Isai.

Gjithashtu, Bashkia Kolonjë në bashkëpunim me Ujësjellës Kanalizimet Kolonjë,  ka nisur prej kohësh aksionin për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të ujit, si dhe lidhjen e kontratave të reja për të gjithë ata qytetarë apo kompani që keqpërdorin ujin e pijshëm.

“Reforma e ujit si fillim është zbatuar në Njësinë Administrative Mollas, për të vazhduar më tej në të gjitha njësitë administrative”, thekson kryebashkiaku Isai i cili ka qenë edhe vetë i pranishëm gjatë punës për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të ujit.

Në përgjigje të kësaj sipërmarrje, ka pasur një numër të madh qytetarësh të cilët i janë drejtuar zyrave të kujdesit ndaj klientit për të paguar faturat e prapambetura dhe për lidhjen e kontratave të reja. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.