“Nuk zbatoi Dekriminalizimin për Kajmakun”, PD kërkon nga Prokuroria përgjigje zyrtare

TIRANË, 7 shtator /ATSH/ Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria përgjigje zyrtare përse, sipas saj, nuk ka zbatuar ligjin për përcaktimin ligjor të Dekriminalizmit, që përcakton në nenin 8 se ndaj funksionarit që nuk dorëzon shenjat e gishtërinjve brenda 5 ditëve, zbatohen ndalimi i ushtrimit të mandatit.

“A i keni administruar ju provat që përmend Shërbimi Postar në deklaratën e tij zyrtare dhe që provojnë se Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin në datën 29 Gusht? Nëse jo, pse? Nëse po, pse nuk është aplikuar sanksioni i parashikuar në nenin 8 të ligjit?” – janë pyetjet konkrete që ngre Partia Demokratike dhe për të cilat Prokuroria është e detyruar të përgjigjet”, thuhet në një deklaratë të PD-së.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi shprehu bindjen se “çdo shkelje e ligjit nga ana e organit të prokurorisë mbi këtë çështje, do të evidentonte edhe më shumë faktin që sot Prokuroria e Përgjithshme, nën drejtimin e shtetases Arta Marku, është shndërruar në një celulë të mbrojtjes së krimit”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.